Sejdiu: Dita e zgjedhjeve - një ditë historike për Kosovën

Kosova

Sejdiu: Dita e zgjedhjeve - një ditë historike për Kosovën

Më: 15 nëntor 2009 Në ora: 12:39

Në një deklaratë bërë me këtë rast, Presidenti Sejdiu foli për rëndësinë e madhe të ditës së zgjedhjeve, të parat që organizohen pas pavarësimit të vendit dhe u shfaq i bindur për organizimin e mirë të tyre nga institucionet e vendit.

“Mund t’ju them se sot është një ditë historike për Kosovën. Janë zgjedhjet e para pas pavarësimit të vendit. Dëshiroj që sikur që ka qenë fryma e përgjithshme gjatë fushatës paraelektorale e mirë, edhe kjo ditë të përmbyllet mirë. Ka qenë një konkurrencë e mirë e kandidatëve, e partive politike dhe ka qenë një dinamikë shumë e gjallë e pjesëmarrjes së qytetarëve në tubimet që ato kanë organizuar”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në zgjedhje, një problem ky që është evident edhe në shumë vende të tjera dhe që ka qenë dukuri sidomos në zgjedhjet e kaluara edhe në vendin tonë.

“Do të dëshiroja që sot Kosova vërtet të jetë në ditë feste, të jetë me një pjesëmarrje masive të të gjithë qytetarëve dhe të kapërcejë edhe një pjesë të pengimit që kanë vendet e Evropës me pjesëmarrjen e qytetarëve”, tha Presidenti Sejdiu.

Ai në vijim foli edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë ne vend.

“Në të njëjtën kohë do të dëshiroja që edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë, në këtë rast të komunitetit serb, të marrin pjesë masivisht, për arsye se është një shans i madh edhe për ta që të jenë akterë të jetës sonë të përditshme, pra edhe jetës institucionale”, tha Presidenti Sejdiu

Presidenti Sejdiu theksoi ndër të tjera se çdo qytetar i vendit është borxhli të japë kontributin e tij në këtë proces zgjedhor edhe me daljen ne zgjedhje, por edhe me kontributin që të mos ketë tensione.

“Është mirë që sot Zoti na ka falë një ditë të mrekullueshme”, tha ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat