Rrëfimi për krimet - reagimet e institucioneve

Kosova

Rrëfimi për krimet - reagimet e institucioneve

Më: 30 nëntor 2009 Në ora: 17:45

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka bërë të ditur se çështja e Nazim Bllacës ka kaluar në duart e Zyrës së Prokurorisë Speciale, e cila po zhvillon hetimet.

Ky mision nuk ka dhënë informacione tjera mbi këtë çështje, protagonisti kryesor i së cilës, një ditë më parë, tha se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione të vrasjes, plagosjes, rrahjes e shantazhit të personave të caktuar”.

Në anën tjetër, ndaj paraqitjes publike të Bllacës ka reaguar presidenti i Kosovës. Në një komunikatë për media thuhet se presidenti “ka përcjellë me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit pas prezantimit të deklaratave publike të një qytetari - shtetas i Republikës së Kosovës, për krimet dhe veprat e tjera të kundërligjshme, të bëra në Kosovë”.

Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë “që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar të gjitha krimet e bëra në Kosovë dhe për dënimin e autorëve të tyre”.

Paraqitja e Bllacës u bë tri ditë pasi që deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, inicioi akuza të ashpra për përfshirje në krime politike ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar sot se zhvillimet e ditëve të fundit “janë sinjale nga qarqe të caktuara, që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe futjen në anarki të institucioneve të Kosovës”.

Ai, në takimin e Këshillit të Sigurisë, ka thënë se këto veprime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sigurinë në vend, janë të orkestruara mirë.

Ato, sipas kryeministrit Thaçi, janë duke ndodhur pikërisht një ditë para fillimit të procesit dëgjimor për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe në periudhën e mesfushatës elektorale.

Kryeministri ka thënë se “personalisht është në anën e ligjit dhe se askush nuk do të ketë imunitet apo mbrojtje politike në kundërshtim me ligjin”.

Ndërkohë, Azem Syla, nga i cili Bllaca ka thënë se ka marrë urdhra për të vrarë, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk e njeh fare Nazim Bllacën.

Ai, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, i ka quajtur shpifje dhe gënjeshtra akuzat e tilla dhe ka thënë se do të ngrejë padi në organet e drejtësisë. Syla ka mohuar të jetë pjesë e strukturave të SHIK-ut, siç ka deklaruar Bllaca.

“As nuk kam qenë e as nuk jam pjesë e strukturave të SHIK-ut. Ndërsa, sa u përket deklaratave, jo urdhra, as s’e kam njohur e as nuk e njoh (Nazim Bllacën). Por, unë do t’i denoncoj shpifjet e tij. Tash jam në konsultim, ta gjej një avokat”, ka thënë Syla.

Por, njeriu që beson në vërtetësinë e deklaratave të Nazim Bllacës është deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Adem Salihaj.

Ai, në një paraqitje para medieve, sot ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që të rishikojë pozicionin e saj në koalicionin qeverisës, duke akuzuar direkt SHIK-un se, siç ka thënë, pas luftës ka vrarë politikanë të kësaj partie.

“E dimë se shumë personalitete të njohura të LDK-së janë vrarë nga krimi i organizuar. Unë po përmend edhe një herë Xhemajl Mustafën, Enver Malokun, Ukë Bytyçin, Smajl Hajdarajn...”.

“Duke marrë parasysh se edhe vetë presidenti Rugova ishte në listën për likuidim dhe ajo listë ishte bërë moti publike, atëherë unë i bëj apel publik LDK-së që ta shqyrtojë pozicionin e saj në qeveri”, ka thënë Salihaj.

Bllaca, në dëshminë e tij, ka thënë se nuk ka marrë pjesë në vrasjen e këtyre personaliteteve. Por, Salihaj ka thënë se këto figura janë vrarë nga ekipe të tjera të SHIK-ut, pa dhënë detaje mbi këto ekipe.

Vetë LDK-ja, përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga organet e ndjekjes dhe të gjyqësisë që të bëjnë punën e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, duke e vënë në funksion zbatimin e tyre të plotë ndaj çdokujt.

“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk mund të ketë imunitet të jashtëligjshëm”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, Policia e Kosovës tha se ende nuk ka marrë ndonjë urdhër nga prokuroria për arrestimin e njeriut që tha se ka kryer vrasje. Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se policia po ofron siguri për vetë Nazim Bllacën, si dhe dy deputetët e LDD-së, Gani Gecin dhe Adem Salihajn.

“Deri më tani kemi ofruar siguri në tri rajone apo lokacione. Pra, kemi ofruar siguri në fshatin Ribar i Madh, ku ka ndodhur rasti i sulmit në shtëpi, kemi ofruar siguri në vendbanimin e zotit Salihaj - deputet, dhe në vendbanimin e zotit Gani Geci - po ashtu deputet”, ka thënë Kelani.

Në orët e pasdites, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe i apostrofuari nga vetë Bllaca, Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Brendshëm, do të mbajnë një takim me gazetarët.(rel)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat