Thaçi dhe Kermabon premtojnë drejtësi

Kosova

Thaçi dhe Kermabon premtojnë drejtësi

Më: 30 nëntor 2009 Në ora: 20:06

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pas deklaratave të Nazim Bllacës dhe publikimi i CD-së së tij, ka thënë se organet e drejtësisë do të kryejnë detyrë e vet deri në fund, duke shtuar se edhe se as akuzuesit dhe as të akuzuarit nuk mund t’i ikin përgjegjësive të transparencës, vendosjes se plotë të rendit, ligjit dhe respektimit të ligjeve të Kosovës.

Thaçi pas një takimi që ka pasur me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX-it, Iv de Kermabo, të hënën ka thënë se këto elemente janë cenim i rendit kushtetues dhe sigurisë nacionale. Ai gjatë ditës ka takuar edhe presidentin e vendit Fatmir Sejdiu, ambasadorët e Kuintit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare (KSK).

Thaçi ka shtuar se është konkludim i përbashkët se do të ketë veprime unike të respektimit të plotë të ligjit të pamotivuara, e të ndikuara politikisht me transparencë të plote në interes të rendit, stabilitetit dhe perspektives së ndërtimit të shtetit demokratik, duke shtuar se është konsoliduar shteti i Kosovës dhe nuk do të lejohet destabilizimi, nuk do të lejohet shkatërrimi i provimit të 15 nëntorit.

Shefi i qeverisë kosovare ka thënë se do të sqarohet deri në fund, dhe as akuzuesit dhe të akuzuarit nuk mund t’i ikin përgjegjësisë, duke shtuar se do të ketë respektim të rendit dhe ligjit.

“Organet e drejtësisë do ta kryejnë detyrën e vet deri në fund dhe këtu nuk do të ketë të ndalur, përkundrazi do të jemi shumë të vendosur, dhe çdo rrethanë e ngritur do të sqarohet deri në fund dhe as akuzuesit as të akuzuarit, nuk mund t’ ikin përgjegjësive të transparencës dhe vendosjes se plotë të rendit të ligjit dhe respektimit të ligjeve të Kosovës, dhe autoriteteve ndërkombëtarë, do të thotë EULEX-it. Nuk do të lejojmë të keqpërdoren situata e rrethana nga individë. Rendi dhe ligji për mua, për institucionet e Kosovës, është i shenjt. Nuk do të lejojmë që për qëllime të tjera të ulëta, të keqpërdoret situata e këtij procesi pozitiv të Republikës së Kosovës”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Sipas tij askush nuk është mbi ligjin, duke shtuar se gjithçka do të bazohet mbi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim tek organet e drejtësisë kosovare edhe ndërkombëtare të EULEX-it.

Kryeministri i vendit ka theksuar se për çdo rast i përfolur do të fillohet dhe të përfundohet, dhe askush nuk mund të përfitojë nga situatat e fushatave paraelektorale që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, apo gjatë fushatave elektorale me motivacione politike.

Nga ana tjetër shef i EULEX-it, Kermabo ka takuar sot presidentin e vendit Sejdiu dhe përfaqësuesin e ICO-së, Peter Faith. Ai ka thënë se nuk do të ketë ndërhyrje politike në sundimin e ligjit. Po ashtu ai ka shtuar se personi që është paraqitur dje si agjent i SHIK-ut është duke u intervistuar nga prokurori i EULEX-it.

“Gjatë këtyre takimeve i kemi diskutuar tre pika kryesore. E para rëndësia e rendit dhe ligjit, e dyta asnjë ndërhyrje politike në sundimin e ligjit dhe EULEX-i, është krejtësisht i përkushtuar për përmirësimin dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Pika e dytë shumë e rëndësishme vitale asnjë ndërhyrje politike në sundimin e ligjit, kjo është baza e nevojshme dhe po ashtu puna e përbashkët me institucionet e Kosovës. Këto janë pikat kryesore që i kemi përmendur sonte. Lidhur me rastin e individit ai person është ftuar nga prokurori i EULEX-it për t’u intervistuar, vazhdon kjo intervistë dhe po ashtu jemi në kontakt me institucionet e Kosovës”, ka theksuar Kermabo, duke shtuar se në këtë proces është e përfshirë edhe gjyqësia e Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat