Bllaca në arrest shtëpiak

Kosova

Bllaca në arrest shtëpiak

Më: 1 dhjetor 2009 Në ora: 17:15

Nazim Bllacës i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë. Prokurori i EULEX-it ka vendosur këtë vendim derisa të bëhen hetimet e mëtutjeshme për të verifikuar deklaratat e Nazim Bllacës, i cili thotë se ka kryer vrasje, tentim vrasje dhe rrahje brutale.

Avokati i caktuar për mbrojtjen e tij, Haxhi Millaku, ka kërkuar që të bëhet një ekzaminim mjekësor ndaj Bllacës.

Ndërkohë, Hysri Rama, njëri nga të përfolurit në CD-në e Nazim Bllacës, i ka cilësuar shpifje deklaratat e Nazim Bllacës, ndërkaq ka pohuar se Bllaca kishte qellim likuidimin e Kadri Veselit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.

30 ditë arrest shtëpiak i janë caktuar të shumëpërfolurit të zhvillimeve të fundit Nazim Bllacës. Kjo masë i është caktuar në orët e mbrëmjes në seancën e procedurës paraprake nga gjykatësi i EULEX-it Francesko Florit, derisa të bëhen hetimet e mëtejshme.

Avokati mbrojtës i Nazim Bllacës , Haxhi Millaku, tha se ka kërkuar që të bëhet një ekzaminim mjekësor ndaj klientit të tij .

Ndërkohë, Hysri Rama, njëri nga të përfolurit në CD-në e Nazim Bllacës, i quajti shpifje deklaratat e Nazim Bllacës. Rama tha se Bllaca kishte qëllim likuidimin e Kadri Veselit, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.

"Unë jam i përfoluri i Nezim Bllacës në CD-në që ka dal, kinse unë i kam marrë 100 mijë euro, me ekzekutuar atë prej pjesëtarëve të SHIK-ut. Ajo është një shpifje dhe nuk qëndron, dhe këtu kam dal me mbrojt askënd tjetër, veç identitetin tim, dinjitetin familjar, se këto janë trillime, shpifje, sikur të gjitha tjerat qysh i ka bërë", tha Hysri Rama, i përmendur në deklaratën e Nazim Bllacës.

Rama shtoi se nuk ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe asnjëherë nuk ka dëgjuar për SHIK-un, kurse njoftoi se me Bllacën ka lidhje familjare. Rama deklaroi se në muajin maj të këtij viti Bllaca i ka telefonuar dhe i ka kërkuar që ta strehojë në shtëpi, të cilën gjë e ka bërë.

"Ma ka bërë një telefonatë me numër të fshehtë, prej atje dhe me ka pyet se a mundet me ardhur, për mu kthy ai me nejt disa ditë të unë, edhe kam pranuar shkaku i rrethanave, i familjes. Ka ardhur ai dhe ka pas një mision të kjartë. Ai ka jetuar nja dy vjet në Serbi edhe i ka pas si pikësynim do figura të mëdha, p.sh. qysh i ka përmendur ata, konkretisht të unë që i ka përmend Kadri Veslein, Xhavit Halitin, Azem Sylen, `që me mujt unë me i ekzekutuar këta, unë marrë pare me thes'. Unë jam t'u fol çka ka tha ai për vete, jo për mu, se unë nuk e di çka ka biseduar ai në Serbi", tha Hysri Rama, i përfoluri në CD-në e Nazim Bllacës.

Lidhur me këto deklarata ai thotë se nuk e ka njoftuar policinë, pasi nuk e ka marrë aq serioze, kurse pohoi se për këto biseda nuk posedon incizime, pasi këto fjalë i ka thanë gjatë bisedës që ka bërë më të në shtëpinë e tij, dhe pasi e ka kuptuar qëllimin e Bllacës, pas dy ditëve i ka kërkuar të largohet nga shtëpia e tij.

Rama mohoi të ketë lidhje me Azem Sylen.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se në Kosovë gjithnjë do të funksionojë parimi se askush nuk do të jetë mbi ligjin.

“Ju duhet ta kuptoni drejtë një fjali të tillë, ajo fjali në një formë tjetër do të duhej të interpretohej se askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është mbi të gjithë, dhe mbi gjithçka. Ky parim do të funksionojë gjatë gjithë kohës në Kosovën e pavarur", tha Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Anëtari i kryesisë së Kuvendit, Naim Maloku tha se zhvillimet e fundit pas publikimit të CD-së, po ndodhin në kohën që mund t'i shkaktojnë dëm proceseve në Kosovë. Sipas tij pozitive është se me të po merret EULEX-i.

“Se Kosova nuk ka ende kapacitete të mjaftueshme të merret me këtë çështje, për shkak se të dhënat që janë dalë në opinion implikojnë edhe njerëz të policisë edhe të ekzekutivit”, tha Maloku.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat