PDK: Daci të kërkojë përgjegjësi nga Salihaj e Geci

Kosova

PDK: Daci të kërkojë përgjegjësi nga Salihaj e Geci

Më: 2 dhjetor 2009 Në ora: 16:03

Pas deklaratave të ditëve të fundit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Adem Salihaj dhe Gani Geci, Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur një mesazh të shkurtër për t'iu kundërvënë atyre përmes zëdhënësit të saj Blerand Stavileci, i cili tha se veprimet e fundit të dy deputetëve të LDD së po bëhen vetëm për qëllime politike.

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë konsideruar se veprimet e deputetëve të LDD së po e dëmtojnë edhe imazhin e Kosovës.

Zëdhënësi i PDK së, Blerand Stavileci në një konferencë për media ka thënë se nuk ka asnjë dromcë të vërtete në gjithë atë që ata thonë.

"Veprimet e tilla e dëmtojnë imazhin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe në Kosovë nuk ka vend për lojëra të tilla të ulëta", ka thënë Stavileci.

Duke përcjell mesazhin e partisë, Stavileci ka kërkuar që kreu i LDD së Nexhat Daci të marrë masa ndaj dy deputetëve të kësaj partie.

"I bëjmë thirrje kreut të LDD së Nexhat Dacit që të distancohet nga deklaratat e bëra nga Salihaj e Geci dhe që të kërkojë përgjegjësi nga ta. Nëse është e nevojshme, Daci duhet të kërkojë edhe dorëheqjen e tyre. Kjo është e turpshme. Po të kishin vetëm pak dinjitet Geci e Salihaj do të jepnin dorëheqje pa ju thënë askush", ka thënë Stavileci.

Mesazhi i PDK së për kreun e LDD së, vjen dy ditë pas kërkesës që deputeti i LDD së, Adem Salihaj i bëri Lidhjes Demokratike të Kosovës që ta rishikojë pozicionin e saj në koalicionin qeverisës me PDK në.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat