Në garë për votat e qytetarëve të Mitrovicës

Kosova

Në garë për votat e qytetarëve të Mitrovicës

Më: 6 dhjetor 2009 Në ora: 15:54

Kandidati i PDK së për kryetar të komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka hapur fushatën elektorale për garën e balotazhit, gjatë një konference me gazetarë. Ai me këtë rast i ka bërë apel kundër kandidatit të tij nga koalicioni AKR-LDD, Nexhmedin Spahiu të ndërpresë, siç u shpreh ai, zhargonin ofendues.

Kastrati tha se zhargoni ofendues nuk është në të mirë të qytetit të Mitrovicës, i cili ka ndjeshmërinë dhe specifikat e veta.

Duke folur rreth fushatës para balotazhit, Kastrati ka thënë se do të fokusohet te pjesa e zhvillimit ekonomik e programit të tij, pasi në rundin e dytë vëmendje më të madhe i ka kushtuar pjesës që ka të bëjë me integrimin e qytetit.

Kryetari i Degës së PDK së në Mitrovicë, Ahmet Tmava, tha se kundër kandidati i tyre Nexhmedin Spahiu po përdor fjalor ofendues për shkak të rezultatit të tij në rundin e parë, duke shtuar se humbja në zgjedhje duhet të pranohet si normale. Duke folur rreth koalicioneve parazgjedhore, Tmava ka thënë se përkrahje kanë marrë nga Partia e Drejtësisë dhe Partia Demokratike Turke.

Kandidati i koalicionit AKR-LDD, Nexhmedin Spahiu, ndërkaq ka hapur fushatën e tij të shtunën, ku i ka ftuar qytetarët mitrovicas të dalin masovikisht në vendvotime më 13 dhjetor dhe të votojnë për koalicionin AKR-LDD, sepse sipas tij, vota për koalicionin AKR-LDD do të jetë në të mirë të qytetit.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, tha se AKR ka vizion për të tejkaluar sfidën e zhvillimit ekonomik të vendit, por ai shtoi se për këtë nevojitet përkrahja e qytetarëve.

Ibrahim Makolli, nënkryetar tjetër i AKR-së, tha se ka ardhur në Mitrovicë për të kërkuar votën e qytetarëve për Nexhmedin Spahiun, sepse kjo është për të mirën e këtij qyteti dhe mitrovicasve.

Makolli theksoi se Mitrovica duhet të shfrytëzojë potencialet e saja natyrore, gjë të cilën e parasheh programi i kandidatit Nexhmedin Spahiu, i cili nëse merr besimin për të parin e komunës atëherë gjendja në Mitrovicë do të ndryshojë për të mirë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat