Mesiq shpallet ''Qytetar nderi i Prishtinës''

Kosova

Mesiq shpallet ''Qytetar nderi i Prishtinës''

Më: 8 janar 2010 Në ora: 16:46

Për kontributin e paluhatshëm në rrugën e ecjes së Kosovës drejt shtetndërtimit dhe për deklaratat e tij të vazhdueshme se Serbia duhet të kërkojë falje për atë që bëri në Kosovë, presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq mori titullin "Qytetar nderi i Prishtinës", çmim ky që iu nda nga kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa.

Kryetari Isa Mustafa, e dekoroi atë edhe me simbolin "Hyjnesha në Fron", që është dekorata më e lartë që ndan kryeqyteti i Kosovës.

"Republika e Kroacisë në krye të së cilës jeni ku ishte ndër vendet kyçe e cila dëshmoi në dobi të Kosovës, në dobi të së vërtetës, njerëzimit dhe të së drejtës së vetëvendosjes në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë në fund të vitit 2009. Ne vlerësojmë se synimet e Kosovës dhe të Kroacisë janë të përbashkëta dhe ato janë paqja, bashkëpunimi reciprok, zhvillimi dhe integrimi sa më i shpejtë në Evropë. Duke pas parasysh kontributin e madh që dhatë për Kosovën, Kuvendi ka vendosur që t'iu shpallë qytetar nderi të Prishtinës për mbështetjen shumëvjeçare të Kosovës dhe të drejtës së saj për vetëvendosje dhe pavarësi", tha Mustafa.

Ndërsa, Presidenti kroat Stipe Mesiq tha se ndihet i nderuar me këtë çmim. Mesiq deklaroi se po hapet një kapitull i ri në marrëdheniet Kosovë-Kroaci.

"Më lejoni që përzemërsisht të falënderoj për titullin e dhënë në "Qytetar Nderi" i Prishtinës, kryeqytetit më të ri të shtetit më të ri të pavarur në juglindje të Evropës dhe në Evropë në përgjithësi. Keni treguar nder të cilin do të di ta çmoj. Këtë dekorim e shoh dhe e vlerësoj në kontekstin e vizitës sime zyrtare, e cila është vizita e parë zyrtare e një presidenti të Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës. Në të gjitha fushat, në marrëdhëniet tona hapim kapitull të ri atje ku deri më tani nuk kemi punuar asgjë do të fillojmë të punojmë, atje ku ka ekzistuar bashkëpunimi do ta forcojmë në interes të dyja palëve", tha me këte rast Mesiq.

Kreu i shtetit kroat shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, edhe pas zgjedhjes së presidentit të ri të Kroacisë.

Çmimi "Qytetar nderi i Prishtinës si dhe dekorata "Hyjnesha në Fron" iu jepet personaliteteve të larta të cilat kanë dhënë kontribut të madh në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat