Thaçi: Në KS të OKB-së do të prezantohen të arriturat e Kosovës

Kosova

Thaçi: Në KS të OKB-së do të prezantohen të arriturat e Kosovës

Më: 22 janar 2010 Në ora: 14:03

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë para kabinetit qeveritar se institucionet e Kosovës do ta përcjellin me vëmendje seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, do të paraqes të arriturat e Kosovës gjatë kësaj periudhe.

Thaçi ka thënë se në këtë mbledhje, do të prezantohet progresi konsolidues, shtetformues dhe demokratizues i Republikës së Kosovës, i respektimit afirmativ të minoritarëve dhe i suksesit të vlerësuar ndërkombëtar për procesin elektoral demokratik.

"Do të prezantohet edhe projekti për punën e suksesshme të institucioneve në nivel qendror dhe lokal, dhe zotimi ynë që të jemi pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe në të ardhmen edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara", është shprehur Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se Kosova i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, si bazë e fuqishme për integrime euroatlantike dhe se kontaktet me autoritetet e vendeve fqinje mbesin të rëndësisë së veçantë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik dhe integrues.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar Strategjinë për komunitete dhe kthim 2009-2013, për të cilën ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashiq ka thënë se definon kthimin e të gjitha komuniteteve dhe involvimin e tyre në të gjitha institucionet.

Megjithatë, kjo strategji është lënë të shqyrtohet herë tjetër, pasi që kryeministri Thaçi ka vlerësuar se duhet të bëhen konsultime shtesë rreth saj.

Ndërkohë, është miratuar plani zhvillimor strategjik 2009-2013, të cilin e ka prezantuar ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, duke thënë se ky plan përcakton reformat kryesore institucionale që do të zbatohen.

"Janë identifikuar 4 fusha: ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtja e kufijve, menaxhimi i situatave emergjente si dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore për qytetarët e Kosovës", ka theksuar Pajaziti, duke shtuar se si i tillë, ky plan është në përputhje me të gjitha dokumentet tjera strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe në përputhje me transferin e disa përgjegjësive të KFOR-it në menaxhimin e vijës së gjelbër.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka njoftuar se Qeveria e Kosovës merr pjesë në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal me seli në Sarajevë, në të cilin këshill, Kosova tash e tre vjet bënë pagesën vjetore.

Ai ka kërkuar që pagesa prej rreth 40 mijë euro nga Qeveria, të bëhet në fillim të vitit, në mënyrë që të shlyhet obligimi dhe të rritet bashkëpunimi rajonal.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Avokatin e Popullit, për të cilin ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi ka thënë se duhet të ndryshohet dhe të përshtatet me rrethanat e reja, në mënyrë që të jetë më funksional, dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën administrative, për të cilin, ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami ka thënë se duhet të përshtatet me konceptin e ri të administratës publike.

Qeveria ka ndarë edhe një shumë prej 20 mijë eurosh për ndihmë Ulqinit, pasi që ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka thënë se ka marrë informata nga kryetari i Ulqinit për përmasat e përmbytjeve që kanë ndodhur atje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat