Thaçi: Në një të ardhme jo të largët, Kosova pjesë e OKB-së!

Kosova

Thaçi: Në një të ardhme jo të largët, Kosova pjesë e OKB-së!

Nga: Blendi Gashi Më: 23 janar 2010 Në ora: 16:06

Prishtinë, 23 janar

Fjalimi i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është lavdëruar dhe vlerësuar lart nga zyrtarët e lartë qeveritar të vendit. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi shprehu vlerësimet e tij më të larta për paraqitjen e ministrit Hyseni në Këshillin e Sigurimit, duke e quajtur si dinjitoz paraqitjen e Hysenit. “Paraqitja e ministrit të jashtëm z. Hyseni para Këshillit të Sigurimit ishte jashtëzakonisht dinjitoz, shumë argumentues, dhe e vlerësimit të progresit të arritur në Republikën e Kosovës, progres ky i arritur si shtet i pavarur sovran, demokratik dhe shumetnik, me fqinjësi të mirë, stabilitet rajonal, dhe perspektivë euroatlantike”, tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeveristë të mbajtur të shtunën. Ai tha se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtar, si dhe do të kontaktojë të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit sidomos me anëtarët e rinj, në mënyrë që ata të binden se progresi i Kosovës është në interesin dhe të mirën e të gjithëve. “Mbështetja për Kosovën është mbështetje për një vend të lirë demokratik, sovran me perspektivë euro atlantike, dhe me perspektivë që në një të ardhme jo të largët Kosova të jetë edhe pjesë e organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Thaçi. Sipas tij, Kosova është në rrugë të mbarë të ndërtojë vendin sipas kritereve dhe standardeve më të larta demokratike.

Qeveria e Kosovës, miratoi edhe kërkesën nga Ministria e Administratës Publike për akomodim të stafit qeveritar në objektin e Pallatit të Mediave, në të cilin objekt do të kalojnë katër ministri dhe 800 zyrtarë. Ministri i Administratës Publike(MAP), Arsim Bajrami tregoi se që nga e hëna do të bëhet bartja e stafit, prej 800 zyrtarëve dhe katër ministrive të cilat do të kalojnë në objektin e ri rezidencial, të Pallatit të Mediave. “Propozojmë që në këtë objekt të vendoset ministria e Administratës Publike, e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e komplet të objektit, dhe qendrës së të dhënave, pastaj Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ambientit”, tha Bajrami. Sipas ministrit të MAP-it, me një angazhim maksimal, qeveria e tanishme ka arritur ta finalizojë projektin që të gjitha strukturat qeveritare të gjitha ministritë të kalojnë në objekte publike, në mënyrë që ti kanë standardet e kërkuara me standardet e menaxhimit të ndërtesave. Ai tha se qeveria Thaçi, nuk ka trashëguar gjendje të mirë sa i përket kësaj çështjeje, pasi që sipas tij vetëm 37 për qind e kapaciteteve qeveritare kanë qenë në objekte publike, ndërsa në 63 për qind e objekteve kanë punuar në objekte private. Kurse për objektet të cilat do t’i lirojnë këto ministri të cilat do të kalojnë në Pallatin e Mediave, Bajrami tha se në vendet e tyre do të vendosen ministri të tjera.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat