Qeveria: “Mos thoni se Strategjia është jona, se na hidhërohen serbët!

Kosova

Qeveria: “Mos thoni se Strategjia është jona, se na hidhërohen serbët!

Nga: Fatbardhë Zeka Më: 24 janar 2010 Në ora: 15:20

Duke qenë si prioritet dhe sfidë e Qeverisë së Kosovës veriu i vendit edhe në vitin 2010, në fillim të javës doli “në skenë” një strategji për komunën e Mitrovicës, strategji të cilën nuk e quajnë si “produkt” të tyre pasi që “frikësohen” se nuk do ta implementojnë serbët. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës theksojnë se nuk duan ta quajnë veten hartues të këtij projekti, duke lënë të kuptohet se kjo strategji e publikuar tani përmban objektivat e më hershme të qeverisë për zgjidhjen e qeshjes së veriut, duke paraqitur gjithmonë faktin se Institucionet e Republikës së Kosovës dëshirojnë që të kenë qasje fizike në veriun e Kosovës. Ministrisë së Pushtetit Lokal, Sadri Ferati e pati paraqitur në dokumentin para grupit ndërkombëtarë në takimin me përfaqësuesit e drejtorëve politikë të vendeve të BE-së, prandaj që atëherë një plan për strategjinë e veriut ka ekzistuar. Kështu në deklaratat e më hershme të ministrit Ferati ekziston edhe interesimi i tij si ministër i cili ka kërkuar që të krijohen parakushte që institucionet e Kosovës të kenë qasje fizike në veri. Mirëpo tani për të mos i thënë “veriut” apo minoritarëve serbë të veriut që kjo është krejt punë e Republikës së Kosovës, dhe punë e ministrisë, këtë strategji qeveria e ka paraqitur fillimisht si projekt ndërkombëtarë, duke konsideruar se serbët e pranojnë duke e parë si produkt i ICO-së. Ndërsa, për zyrtarët e qeverisë, nuk është me rëndësi i kujt është dokumenti dhe kush e ka hartuar këtë strategji, mirëpo e rëndësishme është implementimi i saj. Prandaj nëse thuhet se ajo strategji vjen nga Bashkësia Ndërkombëtare, atëherë duke analizuar deklarata e mëhershme, të zyrtarëve të qeverisë shihet se tëra është planifikuar kohë më parë në këtë mënyrë edhe nga Qeveria e Kosvoës. Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, konsideron se strategjia për veriun e Kosovës është e matur dhe do të jetë shumë efikase në sundimin e ligjit. “Strategjia e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve dhe mekanizmave ndërkombëtar është jashtëzakonisht e përgjegjshme, e matur dhe do të jetë shumë efikase në sundimit e rendit dhe ligjit, legjitimimin e tri komunave të reja, krijimin e komunës së veriut, përmes një procesi demokratik në përputhshmëri të plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari, por edhe angazhimet tona shtesë për zhvillimin socio-ekonomik edhe në veri të Mitrovicës” theksoi kryeministri Thaçi. Kështu ai, i ftoi të gjithë kabinetin e tij qeveritar të jenë në krye të përgjegjësive që kanë, dhe me një angazhim shtesë ti marrin përgjegjësitë në grupet punuese që do të formohen në ditët e ardhshme për implementimin e strategjisë së veriut apo edhe me mekanizmin mbështetës për krijimin e fondit të veçantë nga Qeveria e Kosovës, fond i cili do ti mbulojë të gjitha angazhimet në implementimin sa më të suksesshëm sa më të shpejtë të strategjisë integruese dhe zhvillimore të qeverisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për veriun e Mitrovicës. Ministri Ferati: Po na përkrahin ndërkombëtarët...! Ndërkaq, Memli Krasniqi, zëdhënës i qeverisë së Kosovës sa i përket hartimit të strategjisë, thotë se në radhë të parë është punë e qeverisë, e mandej edhe e ICO-së. “Janë dhënë detaje të mjaftueshme për procesin e hartimit i cili ende po vazhdon për sa i përket strategjisë për veriun. Kjo në radhë të parë është punë e Qeverisë së Kosovës dhe ICO-së si bashkë hartues të strategjisë, e cila po ashtu është konsultuar dhe po vazhdon hartimin e saj konsultimin me partnerët relevantë ndërkombëtar në Kosovë” thotë Memli Krasniqi. Edhe ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Sadri Ferati thotë se strategjia mund të quhet produkt i qeverisë, sepse Bashkësia Ndërkombëtare dhe shtetet e Kuintit kanë besim në institucionet e Kosovës. “Mund të quhet produkt yni se qeveria sepse qeveria ka reflektuar përkushtim për veriun ndërsa Bashkësia Ndërkombëtare dhe shtetet e Kuintit janë pajtuar që të ketë një strategji të tillë, dhe kjo tregon edhe një besim në institucionet e Kosovës në qasjen që kemi me komunitetin serb. Pra një progres që bazohet në këtë strategji do të shënohet edhe në këtë vit, prandaj këto janë fakte që po dëshmojnë përkushtimin e institucioneve dhe kjo ka bërë të mundur që të jemi në pajtueshmëri për strategjinë në veri. Pas aprovimit të strategjisë do të shihet progresi në disa hapa e pse jo edhe gjatë këtij viti” thotë ministri Sadri Ferati. Ndërkaq, Arben Gashi, ekspertë për çështje të pushtetit lokal, thotë se strategjia është hapi i parë konkret që është marrë nga institucionet e Kosovës, mirëpo edhe kjo si çdo strategji mund të ketë defektet e veta, ndërsa sa i përket defekteve ajo varet nga kalkulimet politike, sepse strategjitë zakonisht bartin një dozë të madhe të gabimeve, “Kjo strategji është një projekt i cili krijon mundësinë për shtrirjen e autoriteteve të Kosovës në tërë territorin e Kosovës, ndërsa integrimi apo ndarja janë dy koncepte, sepse integrimi në vetvete do të thotë krijimi i komunës në veriun e Mitrovicës, por në të njëjtën kohë edhe ndarje në dy komuna, prandaj varet se si e sheh çështjen, por e rëndësishëm në tërë këtë strategji është që institucionet ndërkombëtare kanë marrë hapa në drejtim të shtrirjen se autoriteteve në tërë territorin e Kosovës një gjë të tillë që nuk është bërë për dhjetë vite me radhë, ndërsa hapa tjera mbeten implementimi i strategjisë, vendosja e hapave konkret” vlerëson eksperti Arben Gashi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat