PDK fiton zgjedhjet lokale në Gjilan

Kosova

PDK fiton zgjedhjet lokale në Gjilan

Nga: Besnik Boletini Më: 14 mars 2010 Në ora: 22:48

Gjilan, 14 mars - Partia Demokratike e Kosovës ka fituar zgjedhjet lokale në Gjilan për të qeverisur në katër vjetët e ardhshme, kandidati i saj Qemajl Mustafa. Sipas rezultateve preliminare të vëzhguesve të zgjedhjeve, ojq-së “Demokracia në Veprim”, dhe rezultateve të PDK-së, kandidati Qemajl Mustafa ka epërsi bindëse prej më shumë se pesë mijë votash, duke udhëhequr 58.1 % me 41.9 për qind ndaj kandidatit të LDK-së, Fatmir Rexhepi. Fitoren e ka shpallur edhe vetë kandidati i PDK-së Qemajl Mustafa duke i kërkuar njëherazi edhe kundërshtarit të tij, që ta pranojë humbjen, dhe siç ka thënë ai të mos e zgjasë me sjellje të pajustifikueshme. Sipas rezultateve paraprake të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, epërsia e Mustafës mbi 5.440 vota ndaj Rexhepit. “Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur rezultatet preliminare nga rivotimi në Gjilan, ku nga 34.889 vota, 34.158 ishin të vlefshme, 323 me kusht dhe 408 të pavlefshme. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa ka fituar 58.0 %, ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi 41.9 %”, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate.

Të dhëna të ngjashme kanë dhënë edhe dy zyrtarët e lartë të PDK-së, Hajredin Kuçi, dhe ministri i Arsimit Enver Hoxha, sipas të cilëve, konfirmohet diferenca me rreth 7 për qind, përkatësisht me mbi 58 për të votave për Qemajl Mustafën dhe mbi 41 për qind për Fatmir Rexhepin.

Të dhëna të ngjashme ka dhënë për gazetën edhe KQZ-ja, sipas së cilës nuk janë numëruar ende tri kuti. Zyrtarët e LDK-së nuk kanë pranuar t’i komentojnë rezultatet paraprake të “Demokracia në Veprim”, duke sugjeruar që të presin rezultatet përfundimtare.

Pas shpalljes se rezultateve preliminare nga “Demokracia në Veprim”, i kontaktuar nga “Bota sot” kandidati i LDK-së Fatmir Rexhepi tha se nuk posedon ndonjë rezultat preliminar dhe se do të presë shpalljen e rezultateve nga KQZ-ja. Sipas tij, qytetarët e Gjilanit janë ata që kanë vendosur se kush do të udhëheq Gjilanin, duke u treguar në deklarime shumë më i matur.

Rexhepi në orët e para pas mbylljes së vendvotimeve, kandidati i LDK-së për komunën e Gjilanit Fatmir Rexhepi para rezultateve preliminare ka deklaruar se kandidati i PDK-së Qemajl Mustafa nuk është dhe nuk do të jetë kryetar i Gjilanit dhe se KQZ-ja do ta vërtetojë atë që thotë ai. “Asnjë dilemë nuk e kam se unë jam fitues dhe do të bashkë qeverisë me qytetarët e Gjilanit”, tha ai. Rexhepi tha se sikurse që i dha drejtësia shuplakë kundër kandidatit të tij Mustafa, edhe qytetarët në këtë raund të zgjedhjeve do t’i japin një knockout. Rexhepi tha se edhe përkundër kontrabandimit të 420 votave të serbëve që do t’i shqyrtojë KQZ-ja, ato nuk do të ndikojnë në rezultat.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Gjilanin Qemajl Mustafa e akuzoi Rexhepin për sjellje jo korrekte dhe fyese ndaj tij.

Enver Hoxhaj, sekretar i përgjithshme i PDK-së, tha se fitorja e zgjedhjeve në Gjilan është fitore e qytetarëve. Hoxhaj tha se rezultati i zgjedhjeve në Gjilan nuk do të ndikoj në raportet e koalicionit PDK-LDK, pasi ai është stabil, falë klimës politike ndërmjet dy liderëve Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Sejdiu. Ndërsa, zhvillimet në Gjilan i quajti episod i izoluar në raportet e koalicionit. Ai tha se bashkëpunimi i koalicionit do të vazhdojë dhe çfarëdo rezultati për Gjilanin nuk do të kishte ndonjë efekt.

Hoxhaj tha se kryetarët e komunave kanë vend të veçantë në konceptet politike të PDK-së.

Kandidati i PDK-së Qemajl Mustafa e kishte përkrahjen e plotë nga zyrtarët më të lartë të PDK-së sepse shumica e zyrtarëve të lartë të PDK-së kanë qëndruar në shtabin zgjedhor të PDK-së në Gjilan. Ndërsa, në shtabin zgjedhor të LDK-së thuajse fare nuk kishte zyrtarë të lartë të kësaj partie.

Sipas të dhënave të KQZ-së dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte mbi 41 për qind. Kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta, tha se procesi zgjedhor ka qenë i qetë dhe nuk ka pas incidente që do ta dëmtonin procesin zgjedhor. Sipas saj, në të gjitha vendvotimet ka pas dalje të qytetarëve të zgjedhje, përveç në fshatin Bodrigë e Poshtme dhe Cernicë. “Sipas informatave të cilat i kemi marr nga terreni, në komunën e Gjilanit kanë dalë për të votuar 35 mijë e 876 ose 41.3 për qind e qytetarëve. Ka dalje në të gjitha vendvotimet, përveç në një vendvotim, është fjala për Bodrigë ku deri tash nuk ka pas asnjë votues”, tha Lushta. Ajo tha se nuk ka pasur incidente gjatë procesit zgjedhor, dhe se të gjitha vendvotimet janë mbyllur ne orën 19. “Votimet kanë shkuar sipas dinamikës së rregullt të zgjedhjeve dhe në orën 19 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit. Ne nuk kemi marr asnjë informatë për asnjë incident, nëse do të këtë ankesa atëherë KZAP-i do të merret me parregullsitë e mundshme”, theksoi Lushta.

Ndërsa, Komisioni Komunal Zgjedhor i Gjilanit e kishte të ndaluar nga KQZ-ja që të jepte informacione për media në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” raportoi për disa parregullsi nëpër disa vendvotime, si të votime familjare dhe votime të hapura, prezencë të personave të paautorizuar në vendvotime etj. Gjithashtu, “Demokracia në Veprim”, raportoi edhe për numër të madh të vëzhguesve nëpër vendvotime dhe për shkak të numrit të madh ka pas edhe fjalosje dhe largim të vëzhguesve. “Nga të dhënat e vëzhguesve, raportohet për numër të madh të vëzhguesve të cilët pengojnë procesin. Në shkollën “Selami Hallaqi”, ka ndodhur një fjalosje si pasojë e prezencës së tre vëzhguesve, ku më pas njëri është detyruar të largohet”, thuhet në raportin e “Demokracisë në Veprim”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat