Fjala e Kryeministrit Thaçi në takimin me liderë të rajonit në Bërdo, Slloveni

Kosova

Fjala e Kryeministrit Thaçi në takimin me liderë të rajonit në Bërdo, Slloveni

Më: 20 mars 2010 Në ora: 15:39

Të nderuar nikoqirë, znj. Kosor dhe z. Pahor,

Të nderuar përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian,

Të nderuar liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor,

Me lejoni të filloj duke ju përshëndetur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të jem këtu në këtë forum shumë të respektuar, në mesin e liderëve të shteteve të rajonit dhe përfaqësuesëve të lartë të Bashkimit Evropian.

Një falenderim i veçantë u takon organizatorëve të këtij takimi, Kryeministres së Republikës së Kroacisë, znj. Jadranka Kosor dhe Kryeministrit të Republikës së Sllovenisë, z. Borut Pahor. Iniciativa e juaj është shumë e çmueshme dhe jemi këtu me bindjen se ky takim do të ndikojë në fillimin e një kapitulli të ri të bashkëpunimit rajonal dhe bilateral ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Më lejoni në fillim të ju njoftoj se deri sot, Republika e Kosovës është njohur nga 65 vende të botës dhe është pranuar si anëtare në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe në Bankën Botërore. Jemi duke punuar që së shpejti të anëtarësohemi edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me ndihmën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar në Kosovë, jemi duke implementuar Kushtetutën tonë moderne, të bazuar në Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.

Siç e dini, në fund të vitit të kaluar, ne organizuam zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur. Ky proces zgjedhor dëshmoi se institucionet dhe qytetarët e Kosovës mund të realizojnë zgjedhje të lira, demokratike, të drejta dhe të pranueshme. Shtete të shumta dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, me të drejtë kanë vlerësuar se këto zgjedhje i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare.

Shqiptarët, serbët dhe komunitetet e tjera votuan dhe i zgjodhën përfaqësuesit e tyre legjitim, dhe, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, u krijuan edhe tri komuna të reja me shumicë serbe – Komuna e Graçanicës, e Kllokotit dhe e Ranillugut. Këto komuna tanimë kanë filluar funksionimin e tyre efikas me mbështetjen e plotë dhe të gjithëanshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtare.

Si çdo vend demokratik, në këto zgjedhje synuam pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve tanë, dhe ne këtë e kemi arritur me pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë të komunitetit serb të Kosovës, të cilët përmes pjesëmarrjes në këtë proces demokratik dërguan një mesazh të qartë: mesazhin e zhvillimit demokratik dhe të jetës më të mirë në kuadër të sistemit juridik dhe politik të Republikës së Kosovës.

Përkundër suksesit evident në pjesën më të madhe të Kosovës, serbët në pjesën veriore të vendit ende janë peng të ndikimit dezintegrues të Beogradit zyrtar dhe të individëvë të caktuar, apo të të ashtuquajturave “struktura paralele”. Për të tejkaluar këtë situatë, Qeveria që unë drejtoj, së bashku me Zyren Civile Ndërkombëtare ka hartuar një qasje gjithëpërfshirëse për të vendosur legjitimitetin institucional edhe në këtë pjesë të vendit, gjithnjë në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë në veri, si në kuptimin social dhe ekonomik, ashtu edhe në atë legal dhe politik.

Të nderuar zonja dhe zotrinj,

Në dy vitet e pavarësisë së saj, Republika e Kosovës ka shënuar arritje në shumë fusha, por pa dyshim që si shtet i ri, ballafaqohet edhe me sfida të shumta. Këto sfida, që paraqesin edhe prioritetet e Qeverisë që unë drejtoj, janë theksuar edhe në Raportin e Progresit për Kosovën të vitit 2009 nga Komisioni Evropian dhe institucionet tona tashmë kanë koncentruar resurset e nevojshme me qëllim të tejkalimit të këtyre sfidave dhe përbushjes së kritereve dhe standardeve demokratike për integrim evropian.

Ne e mirëpresim qëndrimin e qartë dhe të theksuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se Kosova, njejtë si i gjithë rajoni, ka perspektivë evropiane dhe se e ardhmja e saj është në familjen evropiane. Kjo është bërë e qartë edhe në Studimin për Kosovën, të publikuar vitin e kaluar nga Komisioni Evropian, që i ka hapur vendit tim perspektivën e sigurt për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian, për liberalizimin e vizave, si dhe për dialogun në procesin e Stabilizim – Asocimit.

Ne tashmë kemi pranuar pyetësorin për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian dhe presim që shumë shpejtë të marrim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, deri sa jemi të përqëndruar fuqishëm në dialogun për procesin e Stabilizim-Asocimit. Kosova dhe populli i saj e ka synim të qartë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, prandaj besojmë që përparimi i Kosovës në procesin e integrimeve Evropiane dhe Euro-atlantike do ta shpërblejë këtë vullnet të qytetarëve tanë.

Në këtë drejtim, duke mirëpritur hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të mbajë derën e hapur për anëtarësim për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, meqë procesi integrues është nxitja më efikase për thellimin e reformave të nevojshme dhe për arritjen e kushteve dhe kërkesave të Kritereve të Kopenhagës dhe të Procesit të Stabilizim – Asocimit.

Edhe procesi i liberalizimit të vizave për të gjitha vendet e rajonit tonë duhet të vazhdojë dhe përveç si një proces teknik i arritjes së standardeve të kërkuara, duhet të shihet edhe nga perspektiva humane e lirisë së lëvizjes dhe ofrimit të mundësive të reja për qytetarët e shteteve tona. Por, po ashtu, ne besojmë se ky proces nuk duhet të jetë politik apo të politizohet në çfarëdo mënyre.

Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotrinj,

Pjesë e rëndësishme e integrimit është edhe synimi për marrëdhënie të mira fqinjësore. Kosova ka raporte të shkëlqyeshme me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh me Shqipërinë, Maqedoninë dhe së shpejti presim të emërojmë ambasadorët e ndërsjellë edhe me Malin e Zi.

Unë besoj se raportet tona fqinjësore vazhdojnë të dëshmojnë për rajonin tonë, por edhe më gjerë, se pavarësia e Kosovës është faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal, duke sjellë edhe më shumë bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me fqinjët, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me çdo vend tjetër, si një shtet mik i të gjithëve. Kosova është e gatshme të bashkëpunoj edhe me Serbinë për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë.

Ne e ritheksojmë edhe këtu vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të kontribuar në rritjen e nivelit të komunikimit dhe bashkëpunimit rajonal, me të gjithë dhe pa përjashtime, dhe mbesim me shpresë se takime të kësaj natyre do të mund të organizohen edhe në të ardhmen, gjithmonë në funksion të stabilitetit rajonal, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të rajonit tonë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat