Sejdiu: Vdekja tragjike e Presidentit Kaczynski tronditje për mbarë opinionin botëror

Kosova

Sejdiu: Vdekja tragjike e Presidentit Kaczynski tronditje për mbarë opinionin botëror

Më: 14 prill 2010 Në ora: 14:23

Presidenti Sejdiu, pasi që shprehu dhimbjen e madhe që populli i Kosovës ka ndjerë për Presidentin Kaczynski, theksoi se populli polak do të gjejë fuqinë që ta kapërcejë këtë dhimbje të madhe nacionale.

“Populli mik polak, ka përjetuar tragjedi të mëdha në kohë më të hershme, vlerat e tij të veçanta historike dhe bashkëkohëse janë një shembull i mirë i qëndrueshmërisë së këtij vendi dhe i raporteve të veçanta me botën bashkëkohëse”, theksoi Presidenti.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu shprehu bindjen e tij se populli polak do të dijë që këtë humbje të madhe që ka me vdekjen e Presidentit Kaczynski dhe të shumë figurave eminente të shtetit polak do ta kapërcej me dhimbje por edhe krenari dhe qëndrim në vertikale.

Ndërkaq në Librin e Zisë, i hapur në Ambasadën e Hungarisë në vendin tonë, Presidenti Sejdiu shkroi:

“Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, shprehë dhimbjen e thellë për vdekjen tragjike të Presidentit të Polonisë, Shkëlqesisë së Tij, Leh Kaczynski, të bashkëshortes së tij Maria si dhe të 94 personaliteteve eminente të shtetit mik polak.

Kjo ngjarje tragjike ka shkaktuar tronditje në mbarë opinionit botëror, ndërsa në vendin tim është përjetuar edhe më rëndë për shkak të ndjenjave të veçanta që ka populli i Kosovës për popullin polak, me të cilin ka kaluar nëpër të njëjtin kalvar të ferrit komunist.

Por, njëkohësisht unë shpreh bindjen e fuqishme se populli polak do ta përballojë stoikisht këtë tragjedi dhe me krenari do të ecë drejt së ardhmes edhe më të ndritshme.

Zoti e bekoftë Presidentin Lech Kaczynski!

Zoti e bekoftë popullin mik polak!”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat