Sejdiu merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Leh Kaçinskit

Kosova

Sejdiu merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Leh Kaçinskit

Më: 17 prill 2010 Në ora: 14:05

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka udhëtuar të shtunën për në Poloni, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit Leh Kaçinski, kanë njoftuar për Kosovapress zyrtarë të presidencës së Kosovës.

Këshilltari i presidentit Sejdiu, Xhavit Beqiri ka bërë të ditur se gjatë udhëtimit në Poloni, presidenti Sejdiu po shoqërohet nga këshilltarët e tij.

Presidenti i Polonisë, Leh Kaçinski ka humbur jetën në një aksident ajror në Rusi të shtunën e kaluar. Në këtë fatkeqësi ajrore kanë humbur jetën edhe 96 persona tjerë, në mesin e të cilëve ishte bashkëshortja e presidentit Kaçinski, shefi i ushtrisë polake, shefi i shërbimit informativ, guvernatori i shtetit dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Ceremonia e varrimit të presidentit Kaçinski zhvillohet të dielën, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta të botës, përfshi edhe presidentin e SHBA-ve, Barak Obama.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat