Polica, e respektojnë apo nuk “guxojnë” ta arrestojnë Albin Kurtin

Kosova

Polica, e respektojnë apo nuk “guxojnë” ta arrestojnë Albin Kurtin

Nga: T. Rexhepi Më: 17 prill 2010 Në ora: 16:01

Prishtinë, 17 prill

Një “odisejadë” sa qesharake aq edhe bajate po zhvillohet jo vetëm në mes të gjyqtarit të EULEX-it dhe liderit të Lëvizjes “Vetëvendosja” Albin Kurtit, por edhe në mes të këtyre “dy palëve” dhe Policisë së Kosovës si institucion vendor që merret me ruajtjen e sigurisë së brendshme. E gjendur në “mes të dy zjarreve”, Policia e Kosovës duket se është në pozitën më të rëndë dhe më të vështirë të saj. Nga praktika e deritanishme dihet se Policia e Kosovës nuk do t’ia vinte prangat me dëshirë liderit të “Vetëvendosjes”. Por ky organ i sigurisë ka në tavolinë një urdhër arresti të cilin duhet ta zbatojë. Prandaj deri më tash, Policia e Kosovës po luan rolin e një “ndërmjetësuesi” që përpiqet ta zbatojë urdhrin e gjykatës dhe që “lutet” të mos e takojë askund Albin Kurtit gjatë kohës sa është në fuqi urdhër arresti.

Pra, Policia e Kosovës, edhe pse disa herë ka marrë urdhër arrest nga organet e drejtësisë për arrestimin e udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje”Albin Kurti, për ta dërguar atë para tyre, ku pritej të zhvillohej seanca gjyqësore ndaj tij, asnjëherë nuk ka arritur ta ekzekutojë ketë urdhër deri më tani. Edhe pse vet Albin Kurti, vazhdimisht thotë se nuk po fshihet dhe se nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë asnjëherë, prapë se prapë Policia e Kosovës, nuk ka arritur ta kap atë dhe ta dërgon para organeve të drejtësisë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tij, me akuzën që kanë të bëjnë me demonstratat e 10 shkurtit 2007, ku patën humbur jetën dy protestues dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur. Baki Kelani, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës, thotë se përsëri është marrë urdhër arresti i ri nga ana e organeve të drejtësisë, për arrestimin e Albin Kurtit dhe sjelljen e tij para tyre, mirëpo kjo ende nuk është përmbushur, pasi që lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”Albin Kurti, nuk është arritur të kapet nga organet e ndjekjes. “E kemi marrë urdhër arrestin e ri i cili ka të bëjë me të njëjtën çështje, me sjelljen e Albin Kurtit para organeve të drejtësisë, për seancën e radhës e cila pritët të mbahet të hënën”, thotë Kelani. Ai, mosarrestimin e Albin Kurti, nuk e quan dështim të policisë, për arsye se siç thotë ai kjo ende nuk ka përfunduar e tëra dhe se Albin Kurti ende është në kërkim e sipër, që të kapet dhe të dërgohet para organeve të drejtësisë, në seancën e ardhshme e cila është caktuar të zhvillohet të hënën. “Ai është në kërkim e sipër dhe besojmë se do ta realizojmë urdhëresën ashtu siç kërkohet”, thekson Kelani. I pyetur se nëse nuk do të arrin Policia e Kosovës, që të arreston Albin Kurtin dhe të kërkohet ndihma e asaj të EULEX-it, Kelani thotë se do të veprohet varësisht prej nevojës.

Gjykimi i Albin Kurtit, i rifilluar nga EULEX-i që nga 15 shkurti, ende nuk ka arritur të fillon pasi që ky i fundit asnjëherë nuk është paraqitur para trupit gjykues. Ai thotë se këtë nuk do ta bëjë kurrë vullnetarisht, pasi që procesin gjyqësor ndaj tij e quan të motivuar politikisht dhe se nuk do të paraqitet asnjëherë vullnetarisht, para një trup gjykues, derisa të ekziston EULEX-i këtu.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat