Në Kosovë sot po mbahet testi i maturës 2010

Kosova

Në Kosovë sot po mbahet testi i maturës 2010

Më: 5 qershor 2010 Në ora: 11:55

27 mijë e 424 nxënës sot po i nënshtrohen provimit të maturës, i cili po mbahet në 105 qendra testimi (1600 dhoma testimi), në 29 komuna të Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, testimi ka filluar që nga ora 10:00, derisa testi do të zgjasë 180 minuta.

Sipas informatave nga tereni, deri në këto çaste çdo gjë po shkon sipas planifikimit. Rezultatet priten të shpallen me 15 Qershor 2010.

Testit do t'i nënshtrohen edhe nxënësit,të cilët nuk kanë arritur ta kalojnë nga viti paraprak apo edhe më herët. "Numri i nxënësve, të cilët e kanë paraqitur provimin e maturës po flas gjithmonë për nxënësit, të cilët janë pjesë e listave, të cilat i kanë dërguar në Ministri drejtoritë komunale të arsimit është 27 mijë e 424. Këta janë maturantë të rregullt të këtij viti, por janë edhe një pjesë e maturantëve të cilët kanë dështuar gjatë maturës 2008, apo maturës 2009", ka thënë Kryetari i KQSHM-së, Nehat Mustafa.

Për mbarëvajtjen e këtij testit të maturës janë angazhuar rreth 3200 administrues dhe vëzhgues, por Mustafa bëri të ditur se edhe një numër prej rreth 10 për qind janë lënë si pjesë rezervë, në mënyrë që nëse për ndonjë arsye mungon ndonjë administrues, të jetë mundësia e zëvendësimit të tij të menjëhershëm.

Po, ashtu për mbarëvajtjen e testit do të kujdesen edhe 354 komisionerë, 105 monitorues dhe 50 monitorues qendror (ministri dhe kabineti i tij, anëtarët e KQSHM-së, drejtorët e departamenteve dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës - Komisioni për arsim).

Këtë vit janë përgatitur 8 lloj teste në 3 gjuhë (shqipe, boshnjake dhe turke) si dhe 1 drejtim në gjuhën angleze (sipas kërkesave).

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat