Austria ndihmon hulumtuesit shkencorë në Kosovë

Kosova

Austria ndihmon hulumtuesit shkencorë në Kosovë

Nga: Fatbardha Zeka, BOTA SOT Më: 19 shkurt 2009 Në ora: 17:13

Me qëllim të avancimit dhe të bashkëpunimit të punëtorëve shkencorë dhe hulumtuesve nga Kosova, Qeveria Austriake përmes Agjencisë së saj për Zhvillim, prezantoi të enjten në Prishtinë, projektin për bashkëpunim ndërkombëtar për kërkime shkencore.

Në kuadër të këtij projekti është shpallur konkursi për projekte të përbashkëta kërkimore ndërmjet hulumtuesve të Universitetit të Prishtinës dhe atyre nga institucionet arsimore e shkencore nga rajoni dhe Austria.

Xhavit Rexhaj, menaxher vendës i këtij projekti, tha se një prej kushteve që duhet të plotësohen në këtë konkurs është se me atë projekt duhet të bëhet përmirësimi i jetës në Kosovë. “Një prej kushteve kryesore të këtij konkursi është që projektet të jenë në të mirë të Kosovës dhe përmirësimit të jetës këtu. Do të thotë shkenca të jetë në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës, faza e parë ka treguar sukses, fushat janë të ndryshme që e mbulojnë një gamë të gjerë, nuk janë vetëm në një drejtim, nuk janë vetëm në kabinete, të mbyllura në zyre, po janë në terren për të mirën e cilësisë. Kjo është vetëm një e nënta e projektit tonë”, theksoi Rexhaj. Sipas tij ky projekt do të ndihmojë në kërkimet shkencore, që sipas tij, vlerësimet tregojnë se nuk është në nivel të mirë. Ndërkaq Blerim Canaj, udhëheqës i qendrës së Kosovës për bashkëpunim ndërkombëtar, në MASHT, u shpreh se sa i përket arsimit të larët, tani është në fazën e rëndësishme të reformave. “Arsimi i lartë është në një fazë të rëndësishme sa u përket reformave, gjithmonë duke e synuar ngritjen e kualitetit konform normave moderne dhe perëndimore, duke pasur këtë synim MASHT-i synon përmbushjen e të gjitha standardeve nga procesi i Bolonjës në kuadër të këtyre standardeve futet edhe internacionalizimi i arsimit të larë në Kosovë”, theksoi Canaj.

Suzana Manxhuka, prorektore e UP-së me këtë rast e falënderoi qeverinë austriake, duke thënë se janë të dedikuar të kenë partneritet me universitetet evropiane dhe edhe më gjerë. Për financim do të përzgjidhen 14 projekte, secili në vlerë prej rreth 12.000 euro. Shuma e përgjithshme e mjeteve për këtë rund është 180. 000 euro, ndërsa vlera e përgjithshme e komponentës shkencore është 3 milionë euro. Ky konkurs është faza e dytë e projektit, ngase në vitin 2008 janë përkrahur 12 projekte të ngjashme të cilat tashmë janë duke u implementuar me sukses.

Projekti Multidimensional për Bashkëpunim Institucional në mes të Kosovës e Austrisë në fushën e Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Inovacionit ka filluar para një viti e gjysmë dhe përmban 9 komponentë të fushave të ndryshme, në shkencë, arsimin e lartë, teknologji, inovacione, dhe të tjera.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat