Tony Blair arrin për vizitë në Kosovë

Kosova

Tony Blair arrin për vizitë në Kosovë

Më: 8 korrik 2010 Në ora: 19:12

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe dhe miku i madh i shqiptarëve, Tony Blair, ka arritur për një vizitë në Kosovë, ku para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është pritur me nderime të larta nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me të mbërritur në Prishtinë, Blair është pritur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më pas, ai do të pritet edhe nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Të premten Blair do t’i drejtohet me një fjalim edhe Kuvendit të Kosovës në një seancë plenare, e cila është thirrur për nder të tij.

Më pas ish-kryeministri Tony Blair, ngjashëm sikurse edhe në vitin 1999, do të dalë para ndërtesës së Qeverisë për t’u takuar me qytetarët.

Gjatë kësaj vizite ish-kryeministrit Tony Blair, Universiteti i Prishtinës do t’ia dorëzojë çmimin “Doctor Honoris Causa”, ndërkaq presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do t’ia dorëzojë atij “Medaljen e artë të lirisë”.

Kjo medalje për Blairin, ishte një vendim i mëhershëm i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Cherie Blair mbërrin në Kosovë

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Tony Blair, Cherie Blair ka mbërritur në orët e pasdites në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), ku është pritur nga protokolli shtetëror i Kosovës.

Cherie Blair ka ardhur me një aeroplan privat ndërsa pas disa orës pritet të vijë edhe burri i saj në Kosovë, me ftesë të kryeministrit të vendit Hashim Thaçi.

Chery Blair ka mbërritur sot në Prishtinë, pas vizitës në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Ajo është pritur sot nga kreu i qeverisë së Shqipërisë Sali Berisha. Berisha e njohu zonjën Blair me reformat e Shqipërisë në kuadër të procesit të eurointegrimeve. Ai e falenderoi zonjën Blair për ndihmën që fondacioni që ajo drejton i ka dhënë shumë projekteve të ndërmarra nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, që drejtohet nga zonja Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat