Mendimi këshillëdhënës mbi ligjshëmrinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të jepet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik,sipas analistëve, do të jetë interpretim i balancuar, por jo i prerë.
Njohësi i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se Gjykata nuk do të mbajë anë.
“Opinioni i GJND-së do të jetë i atillë, që do të përshkohet me terma të përgjithshëm, jo i detajizuar në kuptimin e dhënies së një përgjigjeje me terma absolutë - po ose jo. Por, do të jetë një opinion, i cili ka ekzaminuar të gjitha provat ose argumentet e dhëna nga palët dhe mbi bazë të tyre do të japë vetëm shpjegimin ose intepretimet”, thotë Hoti.
Kërkesa që GJND-ja ta trajtojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë ishte iniciuar nga Serbia, dy vjet më parë. Vitin e kaluar janë mbajtur seancat dëgjimore, në të cilat 14 shtete kanë mbrojtur argumentin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa 12 kanë qenë kundër.
Analisti për çështje politike, Driton Lajçi, është i bindur se mendimi i Gjykatës nuk do ta dëmtojë Kosovën.
“Vendimi nuk do të jetë pro serb, sepse nuk ka mundësi, sepse Kosova, megjithatë, ka krijuar fakte. Vendimi do të jetë i balancuar dhe do të mund të interpretohet i favorshëm edhe për Kosovën, edhe për Serbinë. Kjo edhe është filozofia e OKB-së. GJND-ja nuk mund të ikë nga koncepti i filozofisë së OKB-së. OKB-ja nuk njihet si mekanizëm që i thotë gjërat prerazi”, shprehet Lajçi.
Me përmbylljen e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, më 22 korrik, sipas analistëve, nuk do të mbyllen edhe probelmet që shteti i ri ka me fqinjin e tij verior.
Analistët parashikojnë ofensivë diplomatike për të rishtruar për negociim statusin e Kosovës nga ana e Serbisë.
Afrim Hoti shpjegon:
“Është krejtësisht e pritshme që pas përfundimit të procesit para Gjykatës, Serbia do të provojë me të gjitha mjetet që t’i gjejë metodat për ta vënë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, apo në Këshillin e Sigurimit, mundësinë e hapjes së negociatave, meqë lidershipi i Serbisë do t’i përdorë pjesët që konsistojnë si pozitive nga opinioni i GJND-së për Serbinë”.
“Mbi bazën e atyre pjesëve, do të mundohet që çështjen e Kosovës edhe njëherë, eventualisht, ta vendosë në tryezën e bisedimeve”, thotë Hoti.
Por, Lajçi konsideron se rihapja e negociatave për statusin vetëm sa do të sjellë dëm për vendin. Ndërkohë, vala e re e njohjeve, pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së,e paralajmëruar nga kryediplomati kosovar, sipas Ljaçit, nuk është lehtë e arritshme.
“Kosova duhet ta ndërtojë rrugën e vet dhe mos ta ndërtojë strategjinë e zhvillimit të politikës së jashtme apo të njohjeve të reja nga GJND-ja”, thekson ai.
Kosovën, deri më tash, e kanë njohur 69 shtete, nga to më të fuqishmet në botë, si SHBA-të dhe 22 vendet e Bashkimit Evropian. Ngecja në njohje, nga autoritetet kosovare, gjithnjë është arsyetuar me procesin e hapur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.(rel)