Veteranët e UÇK-së kundërshtojnë vendimin e Dhomës së Apelit të Tribunalit

Kosova

Veteranët e UÇK-së kundërshtojnë vendimin e Dhomës së Apelit të Tribunalit

Më: 21 korrik 2010 Në ora: 13:54

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kundërshton vendimin e Dhomës së Apelit të Tribunalit për krimet e luftës në ish- Jugosllavi, për shfuqizimin e vendimit të vitit 2008, ndaljen në paraburgim, si dhe vendimin për rigjykim të bashkëluftëtarëve tonë Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.

Në reagimin e lëshuar të mërkurën, thuhet se ky vendim i padrejtë, që merret vetëm një ditë para shpalljes së mendimit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, është i motivuar politikisht.

"Botërisht njihet dhe është argumentuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, çlirimtare, e orientuar kundër forcave të një shteti pushtues dhe gjenocidal.

Konsiderojmë se ky vendim i padrejtë është vetëm një tentim për të balansuar krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, dhe si i tillë për ne gjithmonë do të jetë i papranueshëm.

Duke besuar në pafajësinë e secilit pjesëtar të UÇK-së, ne kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm", thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat