Kosova bashkë me Shqipërinë, kështu zgjidhet çështja kombëtare

Kosova

Kosova bashkë me Shqipërinë, kështu zgjidhet çështja kombëtare

Nga: Arsim Rashiti, BOTA SOT Më: 26 shkurt 2009 Në ora: 17:05

Partia politike Lëvizja për Bashkim ka dalë haptas me idenë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo parti ka organizuar një konferencë për shtyp në të cilën ka arsyetuar idenë për bashkimin e Kosovës me Shqipëri, në ndërkohë që Prishtina është “zgjuar” sot me pllakate të shumta me përmbajtje “Kosova është Shqipëri” të cilat janë shpërndarë anembanë kryeqytetit. Lideri i Lëvizjes për Bashkim Avni Klinaku shprehu idetë e veta për tregun shatë milionë banorësh, për ekonominë e përbashkët Kosovë –Shqipëri, rrugën e cila do ta lidhë kombin, për portin e Shëngjinit, etj. Ai shtoi se çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipëri tashmë nuk është temë tabu, për arsye se akademikë dhe media në gjuhën shqipe e kanë shtruar këtë temë për diskutim. “Ne vlerësojmë se çështja e bashkimit kombëtarë është çështje e interesit madhor kombëtar të këtij populli, jo vetëm të Kosovës por të kombit në përgjithësi. Është interes kombëtar rreth të cilit do të duhej të bashkoheshin të gjitha politikat, të gjitha strategjitë dhe të gjitha partitë politike të kishim një konsensus në këtë drejtim”, tha ai. Kemi hyrë në vitin e dhjetë të largimit të forcave të Serbisë nga Kosova dhe në vitin e dytë të shpalljes së pavarësisë dhe Kosova nuk po arrin të mirat që do të duhej t’i gëzonte nga këto ngjarje të rëndësishme. Kosova mbetet në një situatë të rëndë, situatë të brishtë të sigurisë, me një gjendje e vështirë ekonomike, dhe çka është më shqetësuesja, Kosova vazhdon të ballafaqohet me një gjendje tepër te rëndë sociale”, tha Klinaku.

“Shkaktari i vërtetë që ne nuk po mund të nisemi drejt një stabiliteti politik, ekonomik e social është moszgjidhja e plotë e konfliktit shqiptaro-serb”, duke shtuar se për shkak të moszgjidhjes së plotë të konfliktit shqiptaro-serb, Kosova dhe populli shqiptar janë privuar nga të drejtat elementare njerëzore dhe ky mohim i të drejtës kombëtare është “sanksionuar” me rezolutën 1244, Pakon e Ahtisarit si dhe reflektimi i këtyre dy dokumenteve në Kushtetutën e Kosovës. Çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve shqiptaro-serbe vazhdojnë të mbeten veriu i Kosovës dhe Presheva, Bujanoci e Medvegja. Ne mendojmë se zgjidhja e këtyre dy çështjeve duhet të arrihet duke respektuar të drejtën për vetëvendosje për të dyja palët, shtoi ai. “Këto dy çështje nuk zgjidhen me bisedime teknike, me bisedime të imponuara dhe për çështje vetëm të serbëve, por me bisedime serioze, ku temë e vetme e bisedimeve do të ishte Presheva, Bujanoci e Medvegja dhe veriu i Kosovës”. ”Vetëm pas zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptaro-serbe Kosova mund të bëhet e pavarur dhe të vendos për fatin e vet dhe në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje, nëpërmjet një referendumi të thjeshtë do të vendoste për bashkimin me Shqipërinë”, tha Klinaku. Prandaj duke i pasur parasysh këto fakte, sipas liderit të Lëvizjes për Bashkim, Kosova, për t’u bërë e pavarur duhet ta shfrytëzoj e papenguar të drejtën e kombeve për vetëvendosje kërkojmë. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet të bëjë presion institucional tek faktorët ndërkombëtar për kthimin e banorëve të Mitrovicës në pronat e tyre si një e drejtë elementare njerëzore, Qeveria e Kosovës zyrtarisht të kërkojë nga Qeveria e Serbisë që ajo të respektojë të drejta të njëjta për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me të drejtat e serbëve në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Lideri i LB-së Avni Klinaku kërkoi nga opinioni i Kosovës që t’i bashkohet idesë së tyre për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat