Qeveria-vreshtarët, arrihet marrëveshja

Kosova

Qeveria-vreshtarët, arrihet marrëveshja

Më: 21 shtator 2010 Në ora: 17:24

Shoqata e Vreshtarëve të Rahovecit dhe Qeveria e Kosovës kanë arritur marrëveshje për subvencionimin e kultivuesve të rrushit me nga 1 mijë euro për hektarë, me çka vreshtarët do t’u japin fund protestave të cilat shpërthyen në shenjë pakënaqësie për shkak të mos grumbullimit të rrushit nga ana e kompanisë “Stone Castle”.

Pas dy takimeve që janë zhvilluar të martën në mes të zv. kryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi, kryetarit të Komunës së Rahovecit Qazim Qeska dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Vreshtarëve më në fund është arritur marrëveshja.

Këtë e ka konfirmuar në një prononcim për media pas takimit zëvendëskryeministri Kuçi.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Shoqatës së Vreshtarëve të Rahovecit Labinot Shulina, e ka vlerësuar vendimin e qeverisë të drejtë. I kënaqur me këtë zgjidhje ka qenë edhe kryetari i Rahovecit, Qazim Qeska.

Vreshtarët kanë protestuar javën e kaluar në Prishtinë, ndërsa një ditë më vonë protesta e tyre e organizuar në Rahovec eskaloi në dhunë, me ç’rast ka pasur të lënduar nga radhët e protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Prodhuesit e rrushit nga komuna e Rahovecit patën paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat, atëherë nesër do të protestojnë serish në Prishtinë.

Kërkesat e tyre janë që institucionet e vendit t’i qasen më seriozitet këtij problemi, dhe që çmimet e grumbullimit të rrushit të jenë ato nga viti paraprak, pagesa të kryhet sipas marrëveshjeve të viteve paraprake, kategorizimi i rrushit të bëhet sipas kualitetit të tij, Doganat e Kosovës të shqyrtojnë bazat doganore të rrushit të importuar, të bëhen memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me shtetet përreth, e posaçërisht me shtetin shqiptar dhe të shqyrtohet mundësia e liberalizimit të tregut për rrush, së paku për muajt shtator dhe tetor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat