Opozita kërkon plotësimin e kushteve për zgjedhje

Kosova

Opozita kërkon plotësimin e kushteve për zgjedhje

Më: 4 tetor 2010 Në ora: 11:31

Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) por edhe PDK-ja, janë deklaruar se janë të përgatitura mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, partitë opozitare thonë se megjithatë ka edhe një varg çështjesh që duhet kryer para zgjedhjeve.

AAK, sipas sekretarit të përgjithshëm, Burim Ramadani është kundër zgjedhjeve të parakohshme, pa u bërë përgatitjet e duhura ligjore dhe teknike. Edhe AKR është kundër zgjedhjeve pa përmbushjen e reformës zgjedhore. Zëvendëskryetarja Mimoza Kusari-Lila kërkon një dinamikë më të madhe të grupit punues mbi reformën zgjedhore, në mënyrë që KQZ t’i kryejë këto punë brenda një afati prej katër ose gjashtë muajsh, aq sa është e nevojshme të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Në fakt, grupi punues mbi reformën zgjedhore ka filluar punën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, i cili kishte sjellë telashe të shumta në zgjedhjet e kaluara, për shkak të paqartësive dhe zbrazësive ligjore. Sot, ky grup do të mblidhet sërish për të bërë ndryshimet e rekomanduara nga Komisioni Evropian, në mënyrë që i plotësuar t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratim dhe tek atëherë të shpalleshin zgjedhjet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat