Bisedime LDK-PDK për zgjedhjet

Kosova

Bisedime LDK-PDK për zgjedhjet

Më: 4 tetor 2010 Në ora: 14:08

Takimi, që shënon vazhdimin e këshillimeve ndërmjet partnerëve në koalicionin qeverisës, pritet që të përafrojë qëndrimet e udhëheqësve politikë, marrëdhëniet e të cilëve janë ftohur në javën e fundit.

Por zyrtarë të LDK-së i thanë BBC-së se kryetari i partisë, Fatmir Sejdiu, do të kërkojë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në gjysmën e dytë të marsit të vitit të ardhshëm, pavarësisht mundësisë që mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit, në këtë rast të kryetarit të Kuvendit, të zgjatet përtej afateve kushtetuese.

LDK, thonë zyrtarë të lartë të saj, nuk do të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve gjatë këtij viti për të mos e penguar procesin zgjedhor në të cilin ka hyrë partia.

Por partneri më i madh në koalicion, PDK ka shfaqur gatishmërinë e saj për të hyrë në zgjedhje ose në gjysmën e parë të muajit dhjetor të këtij viti ose në muajin janar të vitit të ardhshëm. Sipas saj me këtë do të respektoheshin afatet kushtetuese dhe do të hapej mundësia për gjetjen e zgjidhjeve të pas zgjedhjeve.

Kriza politike në Kosovë dhe hapja mundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme ka kushtëzuar edhe dialogun e paralajmëruar ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështjet teknike.

Aktualisht thuhet se Kosova nuk mund të hyjë në një proces të bisedimeve me institucione të luhatura dhe palegjitimitet duke rrezikuar, siç thuhet, gjithë proceset e brendshme.

Megjithatë analistët thonë se shumëçka mund të qartësohet pas vizitës në rajon të sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat