U shënua 7 marsi - Dita e Mësuesit

Kosova

U shënua 7 marsi - Dita e Mësuesit

Nga: Isak Havolli, BOTA SOT Më: 6 mars 2009 Në ora: 20:26

Drejtoria për Arsim në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, organizuan program kulturo-artistik me rastin e shënimit të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit. Kjo ditë e rëndësishme, për mbarë popullin shqiptar dhe për vetë ata që rezistuan me vite, në Sallën e Qytetit në Podujevë, tuboi përfaqësues të pushtetit lokal, veteranë të arsimit, drejtorë të shkollave, dhe veteranë të arsimit si dhe shumë nxënës. Të pranishmëve iu drejtua drejtori i DKA-së, Zukë Xhemajli, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, ua uroi ditën e Mësuesit dhe i falënderoi për kontributin e vazhdueshëm që janë duke dhënë drejt zhvillimit dhe arsimit.’’ Merita qendrore për ndriçimin e rrugës së lirisë dhe pavarësisë së Atdheut- Kosovës, pa dyshim se iu takon mësuesve tanë gjeneratë pas gjenerate, duke frymëzuar dhe armatosur me dije nxënësit e tyre për sakrificë, për një ditë më të mirë më të ndritshme, çlirim nga këmba e huaj’’ tha z. Xhemajli. Ai gjithashtu paraqiti një historik të shkurtër që nga themelimi dhe zanafilla e shkollës së parë shqipe më 7 mars të vitit 1887. Një fjalë rasti u paraqit edhe zv. kryetarja e komunës, Lumnie Kajtazi, e cila i përshëndeti të pranishmit dhe ua uroi 7 Marsin - Ditën e Mësuesit. Në emër të mësuesve përshëndeti, mësuesi veteran Shemsi Mehmeti, i cili ua uroi të pranishmëve 7-marsin dhe e përgëzoi për një organizim kaq dinjitoz.

Në vazhdim u ndanë mirënjohje dhe shpërblime modeste për veteranët e arsimit si dhe mësuesit më të zellshëm e më të dalluar, që me punën e tyre bënë dija dhe intelektualizmi të jetë më i zhvilluar dhe po kontribuojnë vazhdimisht në evoluimin e intelektualizmit. Pas shpërndarjes së këtyre mirënjohjeve u dha një program kulturo-artistik, i përgatitur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe krejt në fund të pranishmit morën pjesë në një koktej rasti të organizuar nga kryetari i Podujevës, z. Ilaz Pireva.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat