Mustafa: Do të zhvillojmë një profilizim të qartë të LDK-së

Kosova

Mustafa: Do të zhvillojmë një profilizim të qartë të LDK-së

Më: 12 nëntor 2010 Në ora: 10:13

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se dyert e kësaj partie janë të hapura për familjen Rugova të cilën e cilësoi si institucion të rëndësishëm të Kosovës. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", ai thotë se është i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë, por përjashton çdo mundësi të përsëritjes së koalicionit të partisë së tij me Partinë Demokratike të Kosovës. Duke folur për zgjedhjen e udhëheqjes së re të LDK-së dhe të listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare, Mustafa konsideron se "procesi ka rrjedhë shumë mirë", ndërsa punimet e Kuvendit zgjdhor i vlerësoi të suksesshme, për të cilin tha se ka "reflektuar demokraci të plotë". Ai tha se përveç ndryshimeve në lidershipin e LDK së, ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në kryesinë e LDK së dhe në Këshillin Qendror, madje, siç tha, ato arrijnë diku rreth 50 për qind. Sa i përket të birit të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ukë Rugova, i cili me listën e tij vendosi që të shkojë me AAK-në, Mustafa tha se kishte biseduar me Ukë Rugovën, të cilit i është ofruar që të futet në listën e LDK-së. "Ne i kemi dhënë ofertën tonë, nuk kemi bërë kërkesë, por kemi thënë që në qoftë se është i disponimit, në qoftë se është vullneti politik dhe nëse është orientimi politik, sepse ai e ka deklaruar këtë orientim edhe më parë që të aktivizohet në LDK, atëherë vendi i tij është këtu", tha Mustafa dhe theksoi se "zoti Rugova i ka gjithmonë dyert e hapura në LDK dhe po ashtu do të jenë dyert e hapura edhe për bashkëpunim të mëtutjeshëm". Ndërkaq në lidhje me disa largime të tjera nga LDK-ja, Mustafa tha se këto i sheh "si profilizim të partisë", duke shtuar se "po mbesin në LDK ata që janë të përkushtuar, që janë ngushtë të lidhur me LDK në". Ndërsa të tjerët që lëvizin nga LDK në subjekte të tjera, ai i quajti të "luhatshëm" ose që kërkojnë oferta të tjera. "Ne do të zhvillojmë një profilizim të qartë të LDK së. Ky profilizim do të bëhet edhe sa i përket adresimit ndaj programit të LDK së dhe sa i përket adresimit ndaj elektoratit. Unë e kam paralajmëruar në mbledhjen e fundit të Këshillit Qendror të LDK së se ne performancën e njerëzve në LDK do ta përcaktojmë në bazë të përkrahjes që ata do të marrin në këto zgjedhje". Mustafa ka hedhur poshtë edhe pohimet e disa kritikëve kinse LDK po shndërrohet në parti rajonale, duke e vlerësuar këtë si "një luftë politike" kundër LDK së. Ai shtoi se LDK ka degë shumë të forta, jo vetëm në pjesën e Llapit ashtu siç thuhet, apo Gollakut, por edhe në Istog, Prizren, Suharekë, Rahovec dhe se është duke u konsolidua dega e LDK së në Pejë dhe Gjakovë. "LDK ja kurrë nuk mund të regjionalizohet sepse LDK ja ka lindë në tërë Kosovën dhe në tërë Kosovën do të zhvillohet", tha mes tjerash Mustafa.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat