WikiLeaks: Kosova po rrëshqet kah ndarja

Kosova

WikiLeaks: Kosova po rrëshqet kah ndarja

Më: 10 dhjetor 2010 Në ora: 10:34

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se “pavendosmëria dhe dobësia” evropiane do të mund të krijonin një kontroll të fuqishëm serb ndaj pjesës veriore të Kosovës, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja londineze "Guardian", duke u mbështetur në dokumentet diplomatike amerikane, të publikuara nga WikiLeaks.

Gazeta shkruan se Shtetet e Bashkuara frikësohen se Evropa do t’i nënshtrohej presionit serb që Kosova të ndahet, lëvizje kjo për të cilën diplomatët kanë tërhequr vërejtjen se mund të nxisë dhunë etnike.

Mesazhet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të publikuara nga WikiLeaks, tregojnë se zyrtarë të lartë të Serbisë, privatisht, i kanë thënë Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian se Qeveria e Kosovës kurrë nuk do ta marrë kontrollin e plotë të territorit të kontestuar – dhe në mënyrë indirekte kanë bërë presion për ndarje, shkruan "Guardian".

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara e kanë kundërshtuar fuqishëm atë që ata e shohin si fushatë e orkestruar dhe e durueshme e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për ndarjen e Kosovës, që nëse do të jetë e suksesshme, do t’i shkaktonte disfatë një dekade të politikës së jashtme amerikane.

Lidhur me këtë çështje, zyrtarët e kanë dënuar “pavendosmërinë dhe dobësinë” evropiane, shkruan "Guardian"-i londinez.

Njëmbëdhjetë vjet pasi NATO-ja shkoi në luftë në Ballkan, për t’i bombarduar forcat serbe dhe për t’i larguar ato nga Kosova dhe pothuajse tre vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë e saj si shtet me shumicë shqiptare, kryeneçësia e Serbisë dhe përpjekjet e saj ditore për ta marrë kontrollin ndaj pjesës veriore të Kosovës rrezikojnë kthimin e konfliktit etnik - i ka tërhequr vërejtjen Uashingtonit Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

“Dështimi për të vepruar së shpejti nënkupton humbjen e Kosovës veriore dhe kjo do ta rihapë kutinë e Pandorës për konflikte etnike, që i definuan vitet e 90-ta”, ka shkruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, këtë vit.

“Koha është e duhur për t’i mbyllur vitet e tendencës në veri dhe për ta ndryshuar dinamikën e forcimit të ndarjes ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës... Situata aktuale është e pambrojtur dhe e përkeqësuar. Qëllimi është që të ndalet përkeqësimi”, ka shrkuar zoti Dell, ndërsa e citon e përditshmja londineze "Guardian", duke u mbështetur në dokumentet diplomatike të publikuara në WikiLeaks.

Kosova shkon në zgjedhjet e përgjithshme, shumë të pritura, këtë fundjavë, të cilat paraqesin një moment shumë të rëndësishëm në përpjekjet e saj për t'u bërë shtet i pavarur me të drejta të plota, shkruan "Guardian".

Ndarja ishte çështje e fuqishme e fushatës, ndërsa analistët dhe diplomatët me ankth presin të shohin se sa serbë të Kosovës do të votojnë.

Zyrtarët e lartë në Beograd u kanë tërhequr vërejtjen amerikanëve dhe evropianëve, se çfarëdo përpjekjeje për të imponuar integrimin në Kosovën veriore, përreth bazës nacionaliste serbe në qytetin e Mitrovës, do ta kërkojë forcën ushtarake të NATO-s dhe do ta destabilizojë rajonin.

Jovan Ratkoviq, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit serb, Boris Tadiq, që është edhe zyrtari kryesor në negtociata lidhur me Kosovën me diplomatët perëndimorë, i tha ambasadores së re amerikane në Beograd se serbët në pjesën veriore të Kosovës kurrë nuk do ta pranojnë qeverisjen nga shqiptarët.

“Këta njerëz kurrë nuk kanë jetuar me shqiptarët, kurr nuk e kanë ndjerë veten si pjesë e Kosovës dhe nuk do ta pranojnë qeverisjen nga Prishtina”, i ka thënë Ratkoviq ambasadores së Shteteve të Bashkuara, Mari Uorlik, në shkurt të këtij viti.

“Beogradi nuk po përpiqet ta ndryshojë realitetin në terren për shqiptarët e Kosovës, por duke e ndryshuar për serbët e Kosovës, po ashtu do të jetë destabilizuese”.

Ratkoviq ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po e shqyrtonin “intervenimin ushtarak” për ta inkorporuar me forcë Kosovën Veriore.

Para një muaji, zoti Ratkoviq ka paraqitur një skenar të barabartë me ndarjen te Robert Kuper, këshilltar i zonjës Kethrin Eshton, shefe e politikës së jashtme të BE-së, dhe personi britanik i BE-së për situata të trazuara për Ballkanin dhe Iranin.

“Ratkoviq në mënyrë të qartë i ka thënë Kuperit se, derisa Beogradi duhet ta pranojë se më nuk do ta qeverisë Kosovën, Kosova duhet të arrijë ta kuptojë se nuk do të jetë në gjendje që në mënyrë efektive ta shtrijë qeverisjen e saj në veri të lumit Ibër në Mitrovicë", raportohet në një mesazh tjetër diplomatik të rrjedhur.

Derisa Serbia pulikisht dhe në mënyrë konstante afirmon se kurrë nuk do ta pranojë ose njohë një Kosovë të pavarur, të cilën e sheh si territor të shenjtë historik serb, në mesazhet diplomatike zbulohet se Beogradi e pranon se Kosova, e kontrolluar nga shqiptarët, është e humbur dhe se ambiciet e Tadiqit për t’iu bashkuar BE-së do të dëmtohen, nëse ai e vazhdon linjën e fortë për këtë territor, shkruan "Guardian".

Raportohet se "Tadiq i ka thënë Kuperit se ai e kupton se ekziston nevoja për një shkallë të qartësisë, duke e ditur se BE-ja nuk do të jetë e gatshme ta pranojë një tjetër shtet anëtar të ngjashëm me Qipron”.

Deri në vitin 2008, Serbia ishte qeverisur nga nacionalistët nën kryeministrin Vojisllav Koshtunica, i cili e kishte çimentuar kontrollin ndaj pjesës veriore të Kosovës dhe kishte premtuar se nuk do të dorëzohej.

Shpresat e Perëndimit ishin të mëdha se nën demokratët pro-perëndimorë të Tadiqit mund të arrihet një zgjidhje. Nën shtytjen e BE-së, në shtator, Tadiqi e tërhoqi fushatën në Kombet e Bashkuara që synonte pavlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe rihapjen e negociatave për statusin e saj dhe u pajtua për bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me Qeverinë e Kosovës, shkruan "Guardian".

Por, Uashingtonit i është thënë nga ambasadat e tij se qeveria e Tadiqit, megjithëse me rroba më të mira dhe me sjellje më të mirë, ndoshta do t’i vazhdojë politikat e njëjta si paraardhësi i tij i linjës së fortë.

“Megjithëse qeveria pro-perëndimore e Tadiqit është një përmirësim ndaj paraardhësit të tij në shumë mënyra, parametrat e përgjithshëm të politikës së Serbisë për Kosovën mbeten të pandryshuar”, i ka thënë ambasada amerikane në Prishtinë zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, para vizitës së tij në Kosovë, vitin e kaluar.

Këtë vit, amerikanët raportuan se politika e Tadiqit për pjesën veriore të Kosovës është shndërruar në “agresive në rritje”.

“Një konflikt i ngrirë i mundshëm në pjesën veriore të Kosovës mbetet kërcënimi më i madh për ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, në periudhë afatshkurtër dhe të mesme”.

Rajoni ishte “bazë për strukturat jolegale paralele serbe dhe bazë e rajonit për kontrabandë dhe krim të organizuar. Institucionet e Kosovës kanë ushtruar pak kontroll atje prej vitit 1999".

Rezultati ishte një zonë ku tubimi doganor është esencial për një “sistem nderi”, gjykatat nuk funksionojnë, policia ndërkombëtare ka probleme dhe të vetmet qeveri komunale janë ato të zgjedhura nga Serbia.

Në mesazhe thuhet se kjo paraqet “kërcënim shumë real për ndarjen e Kosovës, që do të ishte kthim prapa për 10 vjet në politikën e Shteteve të Bashkuara”.

Parashikimet janë të zymta. “Ne mund të presim konfrontime etnike të rregulta, të shoqëruara me viktima, përfshirë edhe në mesin e paqeruajtësve ndërkombëtarë”, shkruan, pos tjerash, e përditshmja londineze "Guardian", në bazë të dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks-i. (f.b.)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat