PDK “zvogëlohet”, LDK, AAK e Vetëvendosja “rriten”!

Kosova

PDK “zvogëlohet”, LDK, AAK e Vetëvendosja “rriten”!

Nga: Shqipe Osmani - Bota sot Më: 10 janar 2011 Në ora: 14:39

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, publikoi edhe rezultatet e rivotimit në tri komunat dhe në dy vend votime, si dhe rezultatet preliminare në nivel qendror përjashtuar këtu votimet në komunën e Mitrovicës. Valdete Daka, kryesuese e KQZ-së, duke shpallur rezultatet e rivotimit për secilën komunë, konfirmoi se në komunën e Deçanit kanë votuar gjithsejtë 12.589 qytetarë, apo 34.59 për qind, në Drenas 25.552 votues, apo 57.73 për qind, 8.68 për qind, Skenderaj kanë marrë pjesë në votime 28.910 apo 60.95 për qind, kurse në Lipjan numri i votuesve në rivotim në vendvotimin në Shalë, kanë marrë pjesë 53.01 për qind, dhe në Malisheve në Drenovc 36. 30 për qind pjesëmarrës në rivotim.

Pas rezultateve të secilës parti për marrjen e votave në këto komuna ku është përsëritur votimi, kryesuesja e KQZ-së, po ashtu bëri publike edhe rezultatet preliminare për partitë politike në nivelin qendror pas rivotimit të 9 janarit në tri komuna. “Duke mos llogaritur vetëm Mitrovicën, qytet ky në të cilin votimet do të përsëriten më 23 janar, përqindjet për secilën parti në nivel vendi janë: PDK - 32.0 %, LDK – 24.7 %, VV – 12.6 %, AAK – 11.2 %, AKR – 7.3 %, LDD – 2.2 % dhe FER – 2.2 %.”, bëri të ditur Daka. Në këto përllogaritje janë futur edhe të dhënat nga votat e rinumëruara, kurse votat me kusht nuk janë llogaritur nga rivotimi, gjë e cila do të bëhet pas rivotimit në komunën e Mitrovicës.

Nëse krahasohet rezultati i 12 dhjetorit atëherë del se PDK-ja ka një rënie prej 1.5%. Pra në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit të shpallura nga KQZ, ja Partia Demokratike më 12 dhjetor kishte votuar 33.5% të votave. Kurse partia e dytë LDK-ja pas rivotimit të 9 janarit ka një rritje prej 1.1% të votave. Kështu kjo parti nga 23.6% ka arritur kuotën prej 24.7%. Rritje ka shënuar edhe Lëvizja Vetëvendosje ishte radhitur si partia e tretë e votuar me 12.2 për qind në zgjedhjet e 12 dhjetorit, kurse pas rivotimit në tri komuna kjo parti ka 12.6 për qind. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit kishte 10. 8 për qind, derisa pas rivotimit kjo parti del me 11. 2 përqind.

E pyetur se kur do të përfundojë i gjithë procesi pasues i zgjedhjeve të 12 dhjetorit, znj. Daka tha se tërë procesi pritet të përfundoj pasi të përfundoj rivotimi në Mitrovicë si dhe pas afateve ligjore për ankesa eventuale.

KQZ: Përsëriten votimet në gjithë komunën e MItrovicës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 23 janar, votimet për zgjedhjet parlamentare do të përsëriten në krejt komunën e Mitrovicës.

Ky vendim pason atë të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila pati vendosur që në 24 vendvotime në Mitrovicë të përsëriten zgjedhjet për shkak të parregullsive.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat