Nuk është kërkuar ndihma e EULEX-it për targat

Kosova

Nuk është kërkuar ndihma e EULEX-it për targat

Më: 12 janar 2011 Në ora: 10:33

Serbia nuk mund të shpërndajë targat e saj në Kosovë, e as në qytetin e Mitrovicës. "Të gjitha tabelat serbe do të konfiskohen dhe të shkojnë në procedurë për kundravajtje", theksoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi në një intervistë për BBC-në.

Pas vendimit të qeverisë së Serbisë për t'i ndërruar targat e makinave edhe për territorin e Kosovës, ministri Rexhepi mori vendim që t'i konfiskojë ato. Ndërkaq Sekretari i shtetit në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, këtë vendim të ministrit Rexhepi e quan vendim për keqardhje.

Rexhepi tha se nuk ka kërkuar ndihmën e EULEX-it, sepse siç thotë, nuk e di nëse ata do të pajtohen apo jo. "Por ky është obligim i policisë së Kosovës dhe kjo masë do të vlejë edhe në kufi, edhe në veri dhe në çdo pjesë të Kosovës", tha Rexhepi.

Por ai tha se indirekt dhe përmes EULEX-it të ketë bërë përpjekje për të sinjalizuar qeverinë e Serbisë, që të mos e ndërmarrë një hap të tillë, "por Beogradi nuk i ka përfill sugjerimet tona", tha Rexhepi.

Ndërkaq Ivanoviq tha se vendimi i Ministrit të Kosovës që të konfiskohen targat e Serbisë, "është për keqardhje", sepse sipas tij, kjo "mund t'i vështirësojë bisedimet".

"Pikërisht kjo çështje, pajtimet ose mospajtimet për targat, do të duhej të ishin temë bisedimesh dhe mendoj se edhe kjo çështje do të duhej të zgjidhej në këto bisedime", theksoi Ivanoviq.

>> Rexhepi: Të konfiskohen targat e reja serbe në Kosovë

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat