Blaku: Regjistrimi i popullatës nuk duhet të politizohet

Kosova

Blaku: Regjistrimi i popullatës nuk duhet të politizohet

Më: 13 janar 2011 Në ora: 17:24

Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë ka miratuar përdorimin dhe dizajnimin e formularit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave që pritet të mbahet nga 1 deri më 15 prill.

Kryetari i këtij komisioni Rifat Blaku, ka thënë të enjten se Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, konform ligjit dhe rekomandimeve të BE-së ka lejuar përdorimin dhe dizajnimin e formularit bazë për regjistrimin e xhiros së ardhshme të regjistrimit të popullsisë.

"Me këtë Republika e Kosovës shënon edhe një progres, sepse po hyn në kuadër të shteteve, të cilat prodhojnë statistika të besueshme, qëndrueshme, të matshme dhe krahasueshme dhe është një nga shtyllat tepër të rëndësishme për funksionimin e shtetit, sepse me këtë bëhet hapi tepër i rëndësishëm për të prodhuar edhe statistika zyrtare oficiele si shtet, të cilat që nga OKB-ja dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare do të jenë valide", ka thënë Blaku.

Blaku theksoi se kryetarët e komunave janë të obliguar që t'i formojnë komisionet komunale për regjistrim, që do të përbëhen nga nëntë anëtarë dhe kjo sipas tij është njëra ndër politikat që do të mundësojë regjistrimin edhe të serbëve në Kosovë.

"Edhe një herë po nënvizoj se projekti nuk është politik dhe nuk duhet të politizohet. Ne nuk jemi ata që do të predikojmë paraprakisht se kush dhe si do të pozicionohet, aq më pak për serbët ose qëndrimet e një shteti tjetër", ka thënë ai.

I pyetur se a do të ketë formulari një ndarje etnike ose fetare, Blaku ka thënë se formulari ka 41 pyetje bazë dhe është i standardeve evropiane.

"Ajo është pjesë përbërëse. Prej dyzet e një pyetjeve në pyetësorin individual, pyetja numër nëntë është cilës grup etnik apo kulturor i takoni dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës personi i regjistruar mund të zgjedhë, por edhe mos të deklarohet", ka thënë Blaku.

Formularët do të shtypen në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe angleze. Regjistrimi i popullatës, ekonomive familjare dhe banesave pritet të mbahet prej 1 prill deri më 15 prill. Herën e fundit regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat