Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, premton njohje të reja për Kosovën, pas Guinea-Bissaus. Pa përmendur emrat e shteteve dhe datat e mundshme të këtyre njohjeve, gjatë një interviste për “Zëri”, Pacolli ka thënë se është në kontakte me autoritetet e dy-tre shteteve të tjera, të cilat pritet ta njohin Kosovën.
Megjithëse i është vështirësuar aktiviteti lobues për shkak të krizës institucionale brenda Kosovës, dhe problemeve të imazhit pas raportit të Dick Martyt, ai ka thënë se kjo nuk do të pamundësojë rezultat e ekipit të tij lobues, për sigurimin njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës.
Lidhur me proceset brenda vendit, kryetari i AKR-së ka thënë se nuk do ta ketë fare problem nëse PDK-ja dhe AAK-ja do të qeverisnin së bashku, siç kanë raportuar mediet. Për më shumë, Pacolli thotë se ndoshta kjo do të ishte një lehtësim për Koalicionin për Kosovë të Re.
Kurse, lidhur me aleatët e tij parazgjedhorë në kuadër të këtij koalicioni, presidenti i AKR-së ka thënë se ata kanë dhe do të vazhdojnë të kenë qëndrim unik karshi pozicionit të ardhshëm në kuadër të institucioneve.