Intervistë e Presidentit Topi dhënë në Shkup për Televizionin Top Channel

Bota e Yjeve

Intervistë e Presidentit Topi dhënë në Shkup për Televizionin Top Channel

Më: 17 prill 2010 Në ora: 14:41

Gazetari Endri Xhafo, Top Channel: Zoti President, vizita juaj është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga Presidenca shqiptare, ndoshta për atë mesazh që ju dhatë këtu në Maqedoni dhe në Parlamentin e Maqedonisë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por Presidenti Ivanov në përgjigjen e tij në konferencën për shtyp u tregua krenar, le të themi për faktin që kjo marrëveshje është pjesë e sistemit politik në Maqedoni. Ndërkohë që shtypi shqiptar në Maqedoni ka dalë sot me titujt si “Presidenti rigjallëron Marrëveshjen e Ohrit.” Ju që po e ngrini këtë problem, mendoni se po zbatohet e plotë Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni?

Presidenti Topi: Së pari dëshiroj t’ju them që dimensioni i kësaj vizite është më i madh se sa një deklaratë, sepse është vazhdimi i përpjekjeve për të përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje, të cilat kanë një perspektivë, kanë perspektivën euroatlantike. Natyrisht që lidhur me deklaratën në Parlament sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, po t’i kthehemi në retrospektivë vitit 2001, në kohën kur u ndërtua dhe u aprovua si marrëveshje, ka qenë një marrëveshje e bazuar në vullnetin e faktorëve politikë në Maqedoni dhe natyrisht është realizuar me bekimin e ndërkombëtarëve. Sot, pas kaq vitesh askush nuk mund të thotë që kjo marrëveshje është realizuar në të gjitha pikat e saj. Unë marr në konsideratë jo vetëm vrojtimet e Institucionit që mbuloj, vrojtimet e institucioneve shqiptare, por marr në konsideratë edhe zërat e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, të shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Marr në konsideratë vlerësimet në raportet e ndërkombëtarëve, pra kur bëhen vlerësime të kësaj natyre, pra kur ka një fjalë në Parlament, fjala ndërtohet me shumë kujdes mbi bazat e një realiteti konkret. Nuk kam thënë asgjë më shumë se sa ndërkombëtarët, që merren me monitorimin e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor që Marrëveshja e Ohrit është marrëveshja thelbësore, e cila bën të mundur realizimin e stabilitetit të Maqedonisë, të komunikimit mes etnive të ndryshme për të forcuar një shtet, i cili sikurse e thashë do e ketë orientimin patjetër në NATO dhe në Evropë.

Gazetari: Zoti President, pikërisht për këtë për harmoni të komuniteteve që jetojnë në Maqedoni, ju e theksuat në mesazhin tuaj e konsideruat faktorin shqiptar këtu si një faktor stabiliteti për Maqedoninë dhe si urë lidhëse midis dy vendeve, por, a mendoni se fjala juaj e plotë u zbeh ndopak nga mungesa e pesë deputetëve shqiptarë të PDSH-së në sallë?

Presidenti Topi: Unë nuk besoj, sepse dje jam takuar me zotin Thaçi. Takimet kanë qenë të vazhdueshme në Tiranë dhe sa herë që unë kam ardhur në Maqedoni. Ky ka qenë një qëndrim i Partisë së zotit Thaçi kundrejt Parlamentit dhe duhet të pyesni zotin Thaçi lidhur me qëndrimin e tij, por, unë besoj që kur flas për faktorin shqiptar në Maqedoni, flas në përgjithësi edhe për faktorin shqiptar në rajon. E kam thënë në mënyrë të vazhdueshme që institucionet e Shqipërisë kanë luajtur një rol konstruktiv, moderator për qetësimin e situatës në rajonin e Ballkanit. Padyshim që dhe statusi i ri i Kosovës si një shtet i lirë dhe i pavarur, ka kontribuar në rritjen e këtij stabiliteti, por institucionet nuk do të ishin asgjë në rast se faktori njerëzor në rajon, e kam fjalën për faktorin shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, nuk do të ishte i prirur për të ndërtuar urat e komunikimit. Prandaj unë i referohem gjithnjë në mënyrë konstante rolit të faktorit shqiptar në rajon, i cili ka qenë shumë moderator dhe konstruktiv.

Gazetari: Ndoshta në këtë prizëm duhet parë dhe deklarata juaj për lëvizjen e lire, e cila duhet të zhvillohet pa një diferencë të madhe nga njëri shtet me tjetrin dhe kur folët për lëvizjen e lirë për Serbinë, ju folët dhe për Kosovën?

Presidenti Topi: Unë nuk e shikoj këtë në mënyrë egoise dhe nuk i jap deklarata të tilla nisur nga ai predispozicion natyror që ka faktori shqiptar në rajon, por për nevojën e domosdoshme që popujt e Ballkanit duhet të shkojnë gati në sinkron në përfitimin e lëvizjes së lirë. Nuk do të doja ta thelloja më tepër argumentin, sepse nuk ka xhelozi për popujt e tjerë. Përkundrazi, ne jemi të gëzuar që çdo popull i Ballkanit të ketë aksesin, mundësinë për të lëvizur i lirë. Ajo që thashë dje në Parlament duke folur dhe për popullin e Kosovës, e shikoj si një element të domosdoshëm që liberalizimi i lëvizjes për popujt tanë, duhet të jetë në kohë, duke iu drejtuar dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që lëvizja e lirë e njerëzve nuk mund të ketë karakterin e njollave të leopardit, pra që diku jepet dhe diku nuk jepet, sepse do të biem në një situatë

0 2paradoksale kur ne kemi liberalizuar vizat me Maqedoninë dhe Malin e Zi, me Kosovën gjithashtu dhe të ketë dhënie aksesi për lëvizjen e lirë për disa vende dhe për disa të tjera jo. Pra, ne i kemi paraprirë statusit të lëvizjes së lirë në rajon dhe kjo situatë, kjo gjendje duhet të transferohet dhe me mundësinë e lëvizjes së lirë edhe në Evropë.

Gazetari: Zoti President, duke mbetur në këtë logjikë, dje është njoftuar lajmi që Shqipëria ka liberalizuar në mënyrë të njëanshme vizat me shtetasit e Serbisë. Keni ndonjë koment për këtë?

Presidenti Topi: Unë mendoj që çdo lajm që vjen për liberalizim vizash në rajon është një lajm i mirëpritur. Dëshiroj që kjo të ndodhë në të gjitha vendet e rajonit, ndryshe pastaj do të kalojmë në linja preferenciale dhe subjektive. Kur bëhet fjalë për lirim të lëvizjes dhe përderisa bëhet fjalë për një lëvizje të të gjithë popujve të Ballkanit, besoj se nuk duhet të ketë asnjë lloj komenti në një kontekst negativ.

Gazetari: Por, a nuk duhet të kishim pritur që ata të liberalizonin njëkohësisht vizat me ne?

Presidenti Topi: Padyshim që duhet ekuilibër, ekuivalencë që të gjithë të përgjigjen ndaj tjetrit me të njëjtin vullnet. Patjetër që kjo duhet të realizohet dhe nga të tjerët ndaj Shqipërisë.

Gazetari: Duke mbetur tek liberalizimi i vizave, zoti President, Shqipëria dorëzoi pyetësorin në Bruksel dhe ju vetë keni shprehur besimin se liberalizimi i vizave që ka të bëjë me statusin e vendit kandidat, se kjo do të ndodhë shumë shpejt, por, ndërkohë që mesazhet që vijnë, qoftë nga Parlamenti Evropian, qoftë nga komisionerët evropianë thuhet që Shqipëria duhet të gjejë një zgjidhje të krizës politike. Madje dhe Ministri i Jashtëm italian, Fratini, kur erdhi në Tiranë, Ambasada italiane në Tiranë shpërndau një note, sipas të cilës Shqipëria duhet të gjejë një zgjidhje të krizës politike, përndryshe kjo do të bënte që vendet që janë më hezituese për momentin në Bashkimin Evropian, të dalin dhe të japin mendime negative.

Presidenti Topi: Ju jeni vetë dëshmitar që unë gati çdo ditë inkurajoj përmirësimin e krizës politike në Shqipëri, për forcimin e imazhit të institucioneve në Bashkimin Evropian, ku ne tentojmë të integrohemi, por, unë mendoj që gjërat nuk duhet të jenë të varura nga vullnetet dhe klima politike, sepse çështja e liberalizimit të vizave ka të bëjë me disa standarde që unë mendoj që Shqipëria i ka realizuar dhe po i realizon. Pra, me fjalë të tjera, njerëzit nuk duhet të mbesin peng i humoreve politike. Njerëzit duhet të lëvizin të lirë. Kjo ka qenë arsyeja që unë kam inkurajuar dhe do të vazhdoj inkurajimin e fortë, qoftë nëpërmjet deklaratave publike, qoftë nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë duke thënë që e kaluara e popullit shqiptar, ajo e kaluar e hidhur e një izolimi të thellë, e përpjekjeve të mëdha gjatë tranzicionit, por edhe i përpjekjeve për të qenë moderator dhe stabilizator i jetës në Ballkan bën që populli shqiptar ta meritojë lëvizjen e lirë. Ka edhe një fakt tjetër që është shumë konkret. Sot shqiptarët që jetojnë në Greqi, jetojnë në mënyrë të konsiderueshme në Itali, jetojnë dhe në vende të tjera të Evropës dhe bëhet fjalë për të qenë psikologjikisht të lirë për ata që dëshirojnë të lëvizin, ata lëvizin për hallet e tyre, të takojnë njerëzit e tyre, për studime dhe unë mendoj që do të ketë tek shqiptarët efekt abuziv dhënia e të drejtës për të lëvizur. Kjo është një e drejtë që shqiptarët e kanë pasur në shekuj, përveç asaj periudhe të izolimit të thellë dhe besoj që do e marrin shumë shpejt.

Gazetari: Falemnderit, zoti President!

Presidenti Topi: Falemnderit dhe ju!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat