Shtiglmajer: Franca (nuk) bllokon liberalizimin e vizave

Bota e Yjeve

Shtiglmajer: Franca (nuk) bllokon liberalizimin e vizave

Më: 4 tetor 2010 Në ora: 16:08

RADIO EVROPA E LIRË

Para 10 ditësh, Franca i është kundërvënë gatishmërisë së shprehur më herët të Komisionit Evropian për regjimin pa viza për Shqipërinë dhe Bosnjën. Çfarë mendoni ju?

ALEKSANDRA SHTIGLMAJER

Nuk është e drejtë që Franca shtron këtë çështje, sepse, më 14 shtator, Komisioni shumë qartë ka thënë se Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur të gjitha kushtet. Përse tash Franca i konteston gjetjet e Komisionit?

Franca thotë se Bosnja dhe Shqipëria nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i përmbushur kushtet e fundit, që Komisioni i identifikoi më herët, këtë vit. Serbia dhe Mali i Zi, që vitin e kaluar ishin në situatë të njëjtë, kishin po kaq kohë në disponim. Në të dyja rastet kemi pasur të bëjmë me afatin prej 4 muajsh.

Mendoj se nuk është e drejtë që Franca, në një rast, ngrit këtë çështje, ndërsa në një tjetër jo. Nga ana tjetër, Franca ka ngritur çështje që nuk kanë qenë fare kusht për liberalizim të vizave, siç është financimi i partive politike dhe reforma e gjykatave.

Nuk është e drejtë që tash të ngrihen çështje që kurrë nuk kanë qenë kushte. Nuk është mirë që Franca të kontestojë punën e mirë të Komisionit.

RADIO EVROPA E LIRË

A ka paralajmërime për ndryshimin e qëndrimit të Francës?

ALEKSANDRA SHTIGLMAJER

Duket se i tërë rrëfimi do të përfundojë mirë. Të mërkurën, në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku është folur për këtë çështje, Franca tha se, nëse do të ketë pak kohë për të rishqyrtuar këtë çështje, do të jetë e gatshme që në Këshillin e Ministrave, në fillim të nëntorit, të votojë për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Është arritur pajtimi që Komisioni sërish t’i informojë ekspertët e Francës, Danimarkës dhe Holandës, për t’u dëshmuar se Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur kushtet e shtruara.

RADIO EVROPA E LIRË

Pra, ju besoni se regjimi pa viza do të miratohet nga fillimi i nëntorit, kur mbahet takimi i ministrave të brendshëm të vendeve të BE-së?

ALEKSANDRA SHTIGLMAJER

Vlerësoj se liberalizimi i vizave do të bëhet rreth 1 dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË

Cili është shkaku që Franca kundërshton liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën?

ALEKSANDRA SHTIGLMAJER

Vështirë është të thuhet, sepse ka disa shpjegime. Disa thonë se Franca dëshiron t’i hakmerret Komisionit për sulmin shumë të ashpër që i bëri Parisit pas dëbimit të romëve në Rumani dhe Bullgari.

Ndoshta Franca dëshiron rolin e “policit” të BE-së, që të mos ketë kriminalitet, migrim ilegal... dhe ndoshta ka pak edhe qëndrim anti-mysliman.

Por, nuk ka të bëjë kjo vetëm me Francën, sepse kanë kundërshtuar edhe Holanda dhe Danimarka. Në këto dy vende, në qeveri janë partitë e djathta që kanë qëndrim anti-mysliman.

RADIO EVROPA E LIRË

A do ta luhaste kredibilitetin e BE-së zvarritja eventuale e liberalizimit të vizave?

ALEKSANDRA SHTIGLMAJER

Kuptohet. Do të vihej në dilemë kredibiliteti i BE-së në rajon. I gjithë procesi ka qenë teknik. Bashkimi Evropian tha: Përmbushni këto kushte dhe do të siguroni heqjen e regjimit të vizave.

Nëse këtë premtim nuk e përmbush, ndërsa Komisioni thotë se të gjitha kushtet janë plotësuar, kjo do të ishte një katastrofë. BE-ja do të humbiste shumë nga ndikimi në rajon, veçanërisht në Bosnjë dhe Shqipëri, por edhe në vendet tjera. Të gjithë do të thoshin se BE-ja thotë një gjë, ndërsa bën diç tjetër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat