Lunacek: Vizat për shqiptarët duhet të hiqen

Bota e Yjeve

Lunacek: Vizat për shqiptarët duhet të hiqen

Më: 6 tetor 2010 Në ora: 19:46

Pyetje: Parlamenti Evropian do të debatojë sot (06.10.) për heqjen e detyrimit për vizë për shqiptarët dhe boshnjakët. Komisioni kompetent e ka dhënë miratimin e tij, pas votimit duhet të japë aprovimin e tij edhe Këshilli i Ministrave të BE. Po edhe aty nuk priten rezerva të mëdha. A na kërcënon së shpejti një dyndje masive forcash pune nga Shqipëria dhe Bosnja? Zonja Lunacek, kur do të hiqen vizat për boshnjakët dhe shqiptarët?

Lunacek: Unë shpresoj që kjo të ndodhë para fundit të këtij viti. Në Parlamentin Evropian do të ketë një mbështetje të gjerë për faktin që më në fund edhe njerëzit në Bosnjë dhe Shqipëri të gëzojnë lirinë e lëvizjes në BE. Ne presim e edhe shpresojmë se kjo do të ndodhë në fillim të nëntorit, më e vona në kuadër të Këshillit të ministrave të Brendshëm. Këtu duhet të këmbëngulin, ka disa vende, para së gjithash ministritë e brendshme të tyre, që nuk janë shumë dakord me këtë, megjithëse Bosnja dhe Shqipëria i kanë plotësuar me të vërtetë të gjitha ato që ka kërkuar Komisioni prej tyre.

A do të rikthehen vërtet në atdhe shqiptarët?

Pyetje: A besoni me të vërtetë se shqiptarët dhe boshnjakët do të vizitojnë parqet e Vjenës dhe Portën e Brandenburgut dhe pastaj do të kthehen vërtet në shtëpi?

Lunacek: Disa prej tyre po! Do të ketë edhe prej tyre që do të kërkojnë të lidhin miqësi, ndoshta do të duan që të udhëtojnë herë pas here. Shumë prej tyre i kanë që tani kontaktet.

Pyetje: Mundësitë për punë nuk luajnë këtu asnjë rol? 30 për qind papunësi vlerësohet se ka në Shqipëri, në Bosnjë kjo shifër mendohet se është edhe më e lartë.

Lunacek: Ndoshta do të ketë disa, që do të përpiqen të gjejnë një vend pune, që do të përpiqen të qendrojnë këtu. Për këtë, prej qeverive në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Shqipëri kërkohet që t'u thonë shumë qartë njerëzve të tyre, se këtu bëhet fjalë vetëm për udhëtim, këtu nuk kemi të bëjmë me leje qëndrimi. Po të doni të punoni vërtet në BE, për këtë ka një proces tjetër, kjo nuk arrihet me heqjen e vizave.

Kryeministri i Shqipërisë, i cili ishte para pak kohësh në Parlamentin Evropian, na prezantoi edhe disa nga programet, se çfarë po bëjnë ata në medie, për ta parandaluar këtë. Do të ketë disa që do të përpiqen të mos kthehen, por kjo ndodh edhe në vende të tjera, për këtë shkak atyre nuk mund t'u refuzohet heqja e vizave.

Presion masiv që kosovarët të lëvizin pa viza

Pyetje: Zonja Lunacek, po me Kosovën, si është puna?

Lunacek: Kjo është çështja tjetër për të cilën duhet të diskutohet pa humbur kohë, siç e dini unë jam edhe raportuese për Kosovën. Më 8 korrik, në rezolutën për rrugën në BE, për Kosovën unë dhe i gjithë Parlamenti Evropian e bëri të qartë se tani Komisioni duhet të përcaktojë edhe për Kosovën udhërrëfyesin (Roadmap), pra si të thuash hapat e parë për heqjen e vizave. Ministrat dhe ministret kosovare më japin siguri çdo herë që i kontaktoj për atë që kanë bërë në këtë drejtim. Një regjistër i gjendjes civile tani po ndërtohet në një mënyrë të tillë, që të mund të sqarohet me të vërtetë identiteti i një personi. Ata po përpiqen të përgatisin të gjitha kushtet teknike për pasaportat biometrike. Dhe në aspektin politik është me të vërtetë e rëndësishme, që këtu të nisë procesi. Do të zgjasë me siguri një periudhë kohe, deri sa të përgatiten të gjitha aspektet teknike.

Kjo të shkakton dhimbje! Kjo u shkakton dhimbje edhe shumë kosovareve dhe kosovarëve, sa e vështirë është për ta që të udhëtojnë, thuajse është e pamundur. Nga ana ime këtu ka një presion masiv në drejtim të Komisionit dhe të Këshillit, për të bërë hapa përpara. Nuk shkon që dy milionë vetë dhe një pjesë e madhe e tyre shumë të rinj, të ndihen të bllokuar në një shtet, i cili është shteti më i ri i Evropës dhe që të udhëtojnë vetëm me vështirësi shumë të mëdha në shtetet e tjera, edhe në shtetet fqinje. Këtu ka nevojë edhe pa liberalizimin e vizave të bëhen lehtësime, p.sh. për studentët, për të rinjtë që duan të këmbehen me kolegë në profesion ose gjëra të ngjashme. Këtu BE duhet të bëjë shumë më tepër dhe ne në Parlamentin Evropian e kërkojmë këtë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat