Thaçi ka pranuar ofertën e AKR-së, president Behgjet Pacolli

Speciale

Thaçi ka pranuar ofertën e AKR-së, president Behgjet Pacolli

Më: 9 shkurt 2011 Në ora: 09:36

Besohet se tashmë është arritur marrëveshja për koalicion mes PDK-së dhe AKR-së. Këtë e ka konfirmuar gazeta “Bota sot”, por gjithashtu nga mediat tjera edhe RTK-ja. Sipas një zyrtari të lartë të PDK-së, të cilit i referohet RTK-ja, koalicioni sigurisht do të përfshijë, përveç AKR-së edhe Listën Ibrahim Rugova si dhe minoritetet.

Sipas burimeve të gazetës “Bota sot”, kryeministri aktual Hashim Thaçi i ka thënë po kërkesave të AKR-së, zgjedhjen e kryetarit të saj Behgjet Pacolli president të Republikës, si dhe një numër ministrish, që besohet se do të shkojnë në disa, 4-6 ministri. Sipas zëvendëspresidentes së AKR-së, Mimoza Kusari – Lila, takimi ndërmjet kreut të PDK-së, kryeministrit aktual Hashim Thaçi dhe presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, i mbajtur të martën në mbrëmje në shtëpinë e z. Pacolli, nuk ka qenë thjeshtë një darkë pune, por një takim në të cilin është arritur marrëveshje parimore për ndërtimin e koalicionit PDK-AKR, nga partitë shqiptare në Kuvendin e Kosovës. “Por, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare”, tha për “Bota sot”, Mimoza Kusari – Lila. Por, pavarësisht kësaj Kusari Lila, ka pranuar se po shikohen mundësitë e ndarjes së dikastereve (ministrive). Ajo tha se AKR-ja insiston për ato fusha, ku mund të vie më shumë në shprehje potenciali i koalicionit për Kosovën, i prirë nga AKR-ja. Po ashtu ajo tha se AKR-ja vazhdon të insistojë, që hyrja në koalicion nënkupton edhe implementimin e programit të AKR-së, si programin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, dhe përgjithësisht një marrëveshje sa më të përshtatshme për arritjen e zhvillimit të përgjithshëm te vendit. Sipas gjendjes momentale, i bie që koalicioni PDK-AKR, Lista Rugova dhe minoritetet të ketë të paktën mbështetjen e 65 deputetëve: PDK me 34 deputetë, AKR me 8, të gjitha minoritetet 22 deputetë, ndërsa nuk pritet të përfshihet partia e Rada Trajkoviqit, e cila aktualisht ka tre deputetë, si dhe të paktën një deputet nga Lista “Ibrahim Rugova”, që është Ukë Rugova, nëse kjo listë nuk arrin ta marrë me vete edhe ndonjë deputet të LDK- së, siç është përfolur disa herë në media. Një takim zyrtar që ishte paraparë të mbahej pasditen e të mërkurës në selinë e PDK-së, është shtyrë për të enjten. Pritet që marrëveshja për koalicion të formalizohet deri në fund të javës. Por, aktualisht një nga vështirësitë, me të cilën duhet të përballet Thaçi, është kandidatura e vënë për president nga presidenti në detyre Jakup Krasniqi, i cili duket se ka një mbështetje brenda partisë. “Por, kryeministri në detyrë, hashim Thaçi e ka dhënë fjalën e tij, se presidenti i takon AKR- së”, ka deklaruar burimi i “Bota sot”. / Bota sot

>> AAK-ja në koalicion me PDK-në, vetëm nëse hyn edhe LDK-ja >> Komente (114)

>> LDK nuk pranon propozimin e AAK-së >> Komente (57)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat