Materialet e “Wikileaks”: “Rusia është shtet mafioz”

Speciale

Materialet e “Wikileaks”: “Rusia është shtet mafioz”

Më: 4 dhjetor 2010 Në ora: 01:01

Rusia është një vend i korruptuar, një kleptokraci autokratike në qendër të së cilës është Vladimir Putin, rreth të cilit janë grumbulluar zyrtarë, oligarkë dhe kriminelë për të krijuar një “shtet mafioz virtual”. Këto paraqiten në disa nga materialet e fundit të publikuara nga “Wikileaks”, që janë disa korrespondenca diplomatike sipas të cilave amerikanët del se kanë një mendim shumë të keq për Rusinë.

Trafik armësh, pastrim parash, pasurim personal, mbrojtje të gangsterëve, valixhe të mbushura me para dhe llogari sekrete në vende të ndryshme. Materialet japin një tablo shumë të errët të një sistemi politik në të cilin vetëm ryshfetet në tërësi në një vit kapin vlerën e 300 miliardë dollarëve dhe ku është shumë e vështirë që të bësh dallimin mes aktiviteteve të qeverisë dhe atyre të krimit të organizuar. Mes akuzave më të rënda që dalin nga mesazhet diplomatike janë:

Spiunët rusë përdorin shefat mafiozë për të kryer operacionet kriminale të tilla si trafikimin e armëve.

Agjenci që merren me zbatimin e ligjit si policia, agjencitë e spiunazhit dhe zyra e prokurorit, operojnë si mbrojtës de facto të rrjeteve kriminale.

Ryshfetet dhe korrupsioni janë në një nivel shumë të lartë dhe ky sistem vepron paralelisht me sistemin e taksave dhe gjithçka shkon për përfitime dhe pasurime personale të policisë dhe shërbimeve sekrete.

Hetuesit që janë marrë me lidhjet e mafies ruse me Spanjën kanë hartuar një listë prokurorësh rusë, oficerësh ushtarakë dhe politikanësh që kanë lidhje me rrjetet e krimit të organizuar.

Putin akuzohet për sasi shumë të mëdha parash të paligjshme që nga koha që është në pushtet, të cilat, sipas burimeve të ndryshme, ndodhen jashtë vendit.

Akuzat dolën në dritë disa orë para se Putin të mbante një fjalim në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s në Zyrih në mbështetje të përpjekjes së vendit të tij për të qenë vendi organizator i Kupës së Botës në vitin 2018. Putin në fakt e anuloi befas udhëtimin për në Zyrih. Ndërsa në një intervistë plot inat që dha për CNN në Larry King Live, të regjistruar para daljes së këtyre publikimeve, Putin i denoncoi këto “rrjedhje” dhe paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të mos i fusin hundët në çështjet e Rusisë.

Ai e bëri të qartë se nuk ishte zbavitur aspak nga mënyra se si diplomatët amerikanë e kishin përjashtuar atë duke e krahasuar me Barmanin dhe Presidentin e vendit, Medvedev me Robinin, personazh në të njëjtin film. “Për të qenë i ndershëm me ju ne nuk dyshonin se kjo do të ishte bërë me një arrogancë të tillë, me kaq mungesë etike”, ka thënë Putin. Akuzat kryesore vijnë nga një prokuror spanjoll, Jose Grinda Gonzales, i cili ka kaluar mbi një dhjetëvjeçar në përpjekjen e zbulimit të krimit të organizuar në Spanjë. Autoritetet spanjolle kanë arrestuar mbi 60 të dyshuar, përfshi edhe 4 bosë mafiozë jashtë Rusisë. Në një material për zyrtarët amerikanë në janar, hetuesi spanjoll ka bërë të ditur se Rusia ishte një “shtet mafioz” në të cilin nuk mund të bëhej dot dallimi mes “aktivitetit të qeverisë dhe atij të krimit të organizuar”. Hetuesi spanjoll deklaroi se kishte prova, mijëra kaseta të regjistruara të përdorura gjatë dhjetë viteve të fundit, që disa politikanë rusë punonin krah për krah me grupet mafioze. Ndërsa në një analizë të detajuar në lidhje me mënyrën se si funksionon korrupsioni në Rusi, ambasadori amerikan, John Beyrle, citoi një burim që thoshte se: “çdo gjë varet nga Kremlini dhe se të gjithë i çojnë paratë në Kremlin”.

Së brendshmi, Kremlini është i shtresëzuar me zyrtarë të lartë, kryebashkiakë dhe guvernatorë, që mbledhin paratë përmes ryshfeteve që është një sistem personal taksimi. “Elementët kriminalë janë të mbrojtur nga policia, sistemi i shërbimeve sekrete, Ministria e Punëve të Brendshme dhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe nga burokracia e Moskës”, thotë ambasadori amerikan. “Lidhja e drejtpërdrejtë e qeverisë së Moskës me botën kriminale e ka bërë situatën disfunksionale dhe shumëkush e quan qeverinë si një organizëm që vepron më shumë si një kleptokraci sesa si një qeveri”.

Ndërsa sipas hetuesit rus, Shërbimi Sekret Rus ka dy mënyra për të eliminuar liderët e krimit të organizuar, të cilët nuk veprojnë sipas porosive të tyre. Mënyra e parë është t’i vrasin, ndërsa e dyta është t’i fusin në burg në mënyrë që t’i eliminojnë nga skena e konkurrencës. “Ndonjëherë FSB i çon lordët e krimit në burg, por këtë e bën për t’i mbrojtur. Liderët më me fat të krimit mund të përfundojnë edhe në Parlament. “Qeveria ruse u jep lordëve të krimit privilegje dhe imunitet nga akuzat”, vazhdon në shënimin e tij ish-ambasadori amerikan. Dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetmet që kanë vlerësime të tilla. Edhe drejtori për Rusinë në Ministrinë e Jashtme Britanike cilësohet që ta ketë quajtur Rusinë “një shtet të korruptuar”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat