Thaçi: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran

Lajme

Thaçi: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran

Më: 7 mars 2011 Në ora: 16:13

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka folur për dialogun teknik Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se liria dhe statusi i saj janë të padiskutueshme dhe të panegociueshme.

"Ndodhemi para fillimit të një procesi të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për të ardhmën evropiane të Kosovës.

Për herë të parë, prej përfundimit të luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të fillojmë normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Pas dekadave të konflikteve dhe shkatërrimeve, erdhi koha që mospajtimet dhe dallimet në çeshtje të caktuara t’i diskutojmë barabarësisht dhe t’i zgjidhim bashkërisht.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet fuqimisht në dialogun teknik para nesh – e përkushtuar për ta avancuar jetën e qytetarëve dhe për t’i kontribuar edhe stabilitetit të rajonit.

Gjetja e zgjidhjes për problemet e trashëguara është çështje urgjente dhe e pashmanghsme.

Duke filluar prej plagës së rëndë të të zhdukurve, e deri te pengesat administrative dhe dokumentacioni i konfiskuar – dialogu teknik me Republikën e Serbisë do ta ketë një synim të vetëm: normalizimin dhe zhvillimin e raporteve tona ndërshtetrore.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Liria dhe statusi i saj janë të padiskutueshme dhe të panegociueshme.

Megjithatë, zhvillimi ekonomik dhe integrimet evropiane janë të domosdoshme për mirëqenien e të gjithë neve.

Në këtë aspekt, dialogu teknik me Republikën e Serbisë paraqet fazën kryesore në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian dhe integrimeve euro-atlantike.

Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në Kushtetutë dhe legjitimitetin e dhënë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka përgjegjësinë e udhëheqjes së këtij procesi.

Mirëpo, unë e ftoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që t’a përkrah këtë proces dhe ta vëzhgoj nga afër rrjedhën e tij.

Për më tepër, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të informohet rregullisht për ecurinë e këtij procesi i cili natyrisht pritet të jetë i gjatë, por kam besim se ky proces do të përfundoj me njohjen reciproke ndërmjet të dy shteteve sovrane dhe antarësimin në BE dhe NATO.

Procesi i dialogut para nesh tejkalon suazat partiake e ideologjike. Sfida që përmbahet në të është më e gjerë se dallimet e ngushta programore partiake sepse rëndësia e këtij procesi është gjithëkombëtare.

Andaj, sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pres nga ju përkrahjen e fuqishme dhe përkushtimin e skajshëm për ta kurorëzuar me sukses këtë proces madhor për ardhmërinë e shtetit tonë të ri.

As sot, sikurse edhe herave të tjera, nuk jemi të vetmuar në përpjekjet tona për ta krijuar një të ardhme të sigurt për të gjithë kosovarët.

Partnerët tanë ndërkombëtarë (BE dhe SHBA) do të jenë pjesë e rëndësishme e këtij procesi: prania dhe ndihma e tyre do të jetë garant i suksesit dhe i perspektivës evropiane të tij.

Ata, sikurse edhe të gjithë ne, janë të bindur se fuqia e një shteti të ri si Kosova qëndron në sigurinë e qytetarëve të tij – në stabilitetin e zhvillimit ekonomik dhe politik.

Të gjitha këto mund të arrihen vetëm përmes fqinjësisë së mirë, përmes lirisë së lëvizjes për të gjithë dhe përmes mirëkuptimit të ndërsjellë – nga të gjithë.

Unë mirëpres debat konstruktiv nga ju, të argumentuar dhe të aryeshëm në shërbim të interesit tonë nacional dhe të ardhës sonë evropiane", ka thënë kryeministri Thaçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat