Rritet interesimi i serbëve për t’u regjistruar

Lajme

Rritet interesimi i serbëve për t’u regjistruar

Më: 12 prill 2011 Në ora: 11:46

Katër ditë para përfundimit të regjistrimit në Kosovë është rritur numri i serbëve në jug të Mitrovicës, të cilët po i përgjigjen këtij procesi.

Ndërkohë, në komunën e sapoformuar të Graçanicës janë regjistruar më shumë se 7 mijë serbë. Udhëheqja e këtyre komunave pret që numri i serbëve do të jetë edhe më i lartë deri në fund të afatit për regjistrim.

Në ditët e para të regjistrimit numri i serbëve të Kosovës që ishin të gatshëm t’i bashkohen këtij procesi ka qenë i vogël. Anketuesi Goran Stojanoviç nga Graçanica thotë se në fillim kanë hasur në probleme të shumta, përfshirë edhe bojkotin dhe nuk janë pritur mirë nga banorët serb. Mirëpo, sipas tij me kalimin e kohës bashkëpunimi ka qenë më i madh dhe është rritur numri i atyre që i janë përgjigjur procesit të regjistrimit.

“Në dy ditët e fundit ka filluar të rritet numri i atyre që marrin pjese në regjistrim. Arsyeja më e shpesht pse serbët nuk duan të marrin pjesë në regjistrim është qëndrimi i Serbisë, i cili tashmë është i njohur. Mirëpo, më shumë pjesëmarrje është shënuar e serbëve të cilët punojnë në institucione të Kosovës”, thotë Stojanoviç.

Edhe pse, sipas të dhënave të Komisionit për Regjistrim, interesimi i serbëve është duke u shtuar ka edhe të tillë që vazhdojnë ta kundërshtojnë fuqishëm këtë proces.

“Mendoj se serbët që aktualisht jetojnë në Kosovë nuk duhet të regjistrohen. Edhe shqiptarët bojkotonin regjistrimin në të kaluarën, prandaj nuk kam nevojë t’i përgjigjem regjistrimit”, thotë një qytetarë serb.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Graçanicës Bojan Stojanoviç thotë se serbët do t’i shkaktojnë vetes dëm të madh nëse refuzojnë regjistrimin e popullsisë.

“Porosia ime është që të shfrytëzojmë mundësinë që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e procesit, të regjistrohen në mënyrë që t’i plotësojnë të drejtat e tyre edhe në mënyrë ligjore”, porositë Stojanoviç .

Edhe në Entin e Statistikave në Prishtinë konfirmojnë se në vendet e banuara me serbë është rritur interesimi për t’iu përgjigjur procesit të regjistrimit të popullsisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat