SHBA mirëpret protokollin EULEX-Serbi

Lajme

SHBA mirëpret protokollin EULEX-Serbi

Më: 12 shtator 2009 Në ora: 09:01

Departamenti amerikan i Shtetit përmes zëdhënësit Ian Kelly ka mbështetur nënshkrimin e protokolit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin arritjen e një aranzhmani teknik për bashkëpunim policor ndërmjet Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovë) dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë”, citohet të ketë thënë Ian Kelly.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Kelly citohet të ketë thënë se Kosova është komb sovran dhe ky aranzhman teknik nuk do të ishte i mundshëm pa përkrahjen e Kosovës në luftën kundër kriminalitetit tejkufitar.

“Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të marrin pjesë në EULEX dhe përgëzojnë EULEX-in për kryerjen e misionit të vet, ashtu siç është autorizuar dhe paraparë nga autoritetet e Republikës së Kosovës".

"Ky aranzhman teknik ndërmjet një misioni të Bashkimit Europian dhe ministrisë serbe që është përgjegjëse për bashkëpunim policor respekton plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Kelly.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se bashkëpunimi policor i mundësuar me këtë aranzhman do të ndihmojë në luftën kundër kriminalitetit tejkufitar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, “një luftë ndaj së cilës Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë të dyja të përkushtuara”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat