Frika në rritje – Valë e re e gripit të derrave

Lajme

Frika në rritje – Valë e re e gripit të derrave

Më: 5 nëntor 2009 Në ora: 13:29

Gripi i derrave, siç është quajtur gripi i ri është duke avancuar në Gjermani. Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch, javën e kaluar u regjistruan më shumë se 3 mijë raste të reja, gati dy herë më shumë se një javë më parë. Disa parametra të vlerësuara dhe analizuara nga Instituti tregojnë se tendenca është në rritje. Prandaj për Jörg Hacker, presidentin e Institutit është e qartë se: „Nga pipëkamja epidemiologjike vala e re ka filluar. Ne kemi shtimin e rasteve të të prekurve në Gjermani, shtimin e rasteve që në përgjithësi janë zhvilluar butë, por kemi edhe të rasteve të rënda. Ne jemi duke bërë gjithshka në mënyrë që të kemi sa më pak raste të rënda."

Rreth 90 përqind e njerëzve të infektuar kohët e fundit e kanë marrë infeksionin brenda Gjermanisë, dhe jo si periudhën e verës kur shumica infektoheshin jashtë vendit. Për ekspertin e epidemisë Hacker një arsye e mjaftueshme për tu shqetësuar: "80 deri 90 përqind e rasteve të reja të gripit kanë qenë njerëzit që kanë qenë në udhëtim. Kurse tani kjo ka ndryshuar. Tani kalimi i infeksionit ka ndodhur pothuajse krejtësisht në Gjermani. Kjo do të thotë se virusi është mes nesh edhe është duke u përhapur në popullsinë gjermane."

Prandaj është e drejtë të flitet për pandemi, thotë Bernhard Schönemann, drejtor i Zyrës së Shëndetësisë në Këln. Punonjësit e tij janë përgjegjës për furnizimin e ambulancave të mjekëve me vaksina kundër gripit të derrave: „Kjo është vala e dytë. Sipas përvojave nga pandemitë e mëparshme e dimë se pandemitë shfaqen në valë të ndryshme dhe shenjat thonë se jemi në fillim të valës së dytë. Tani do të kemi kudo raste të reja infektimesh."Lajmet për rastet e vdekjeve dhe paralajmërimit të Institutit Robert Koch në Berlin për përhapjen e shpejtë të gripit të derrave kanë bërë të mendohen shumë qytetarë për të larguar paragjykimet ndaj vaksinës. Shumë mjekë flasin për numrin e madh të njerëzve që kërkojnë vullnetarisht vaksinimin, në disa vende janë krijuar madje radha të gjata. Megjithatë vaksinat nuk ndodhen kudo në sasinë e mjaftueshme. Kjo ka të bëjë me procesin e prodhimit, shpjegon Schönemann. Dozat dhjetëshe të vaksinës duhen përdorur brenda 24 orëve, prandaj mjekët i vaksinojnë pacientët kur numri i tyre ka mbërritur në dhjetë. Paketa tjetër dhjetëshe duhet porositur nga e para.

Shumë më dramatike se në Gjermani është gjendja në vendet e tjera. Në Ukrainë sundon gati gjendja e jashtëzakonshme, shkollat janë mbyllur për tre javë, qindramijëra maska mbrojtëse i janë shpërndarë popullsisë. Sllovakia ka mbyllur dy pika kufitare kalimi me Ukrainën. Në Rumani një sekretar shteti dha dorëheqjen pasi kishte paralajmëruar për rrezikun e vdekjes së 20 mijë vetëve nga gripi i derrave. Në gjithë Evropën janë njoftuar deri tani 300 raste vdekjesh nga gripi i derrit, shumica tyre në Britaninë e Madhe. (dw)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat