Kuvendi debaton raportin e progresit më 26 nëntor

Lajme

Kuvendi debaton raportin e progresit më 26 nëntor

Më: 10 nëntor 2009 Në ora: 15:37

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të dalë para ligjvënësve në interpelancë lidhur më raportin e progresit të Komisionit Evropian, kërkesë kjo e bërë kohë më parë nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, por Kuvendi do të zhvillojë seancë të veçantë për të debatuar rreth këtij raporti.

Një vendim i tillë ka dalë nga mbledhja e rregullt e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, me ç'rast është vendosur që debati për raportin e progresit të KE së të zhvillohet në seancë të veçantë më 26 nëntor.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se është marrë parasysh kërkesa e LDD së për interpelancë të kryeministrit për këtë çështje, por ka thënë se është vendosur kështu ngase edhe Komisioni për integrime evropiane i ka bërë rekomandime të cilat do të prezantohen para ligjvënësve.

"Ne konsiderojmë që debati e mbulon edhe interpelancën. Kështu ka qenë vendimi edhe i Kryesisë dhe mendoj që koha më e gjatë dhe mundësia për të debatuar deputetët është më e madhe në debat sesa në interpelancë", ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq kryetari i LDD së Nexhat Daci, njëherësh anëtar i Kryesisë së Kuvendit, ka vlerësuar se gjendja në Kosova nuk është e mirë, duke thënë se nuk ka avancim në pikat strategjike të saj dhe kjo është koha e duhur për adresimin e kryeministrit Hashim Thaçi para Kuvendit të Kosovës.

Pavarësisht rëndësisë së këtij debati dhe kërkesës paraprake të LDD së për ta ftuar kryeministrin në interpelancë, i pari i LDD së ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që ligjvënësit të mblidhen në tri seanca gjatë këtij muaji, më 19 nëntor, ku do të jetë rendi i ditës me pika të zakonshme, një më 20 nëntor, ku do të shqyrtohet projekt raporti i qeverisë për buxhetin e vitit 2009 dhe seanca e 26 nëntorit, ku do të shqyrtohet raporti i progresit i Komisionit Evropian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat