Sejdiu: Zgjedhjet e 15 nëntorit të dëshmojnë qëndrueshmërinë e shtetit tonë

Lajme

Sejdiu: Zgjedhjet e 15 nëntorit të dëshmojnë qëndrueshmërinë e shtetit tonë

Më: 10 nëntor 2009 Në ora: 15:53

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu vizitoi sot Kolegjin AAB, ku, para studentëve dhe stafit akademik të këtij kolegji, mbajti ligjëratën me temë "Zhvillimet, sfidat dhe perspektiva e Republikës se Kosovës".

Presidenti Sejdiu në fjalën e tij përqendrua në historinë e re të zhvillimeve të përgjithshme në vendin tonë, me theks të veçantë për dinamikën e ngjeshur dhe sfiduese të dy tre viteve të fundit, nga periudha e bisedimeve për përcaktimin e statusit politik të vendit tonë, e cila suksesshëm u kurorëzua më 17 shkurt të vitit 2008, pra me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

"Kosova ka hyrë në obligime të qarta dhe shumë e vetëdijshme se do të jetë një shtet demokratik i të gjithë qytetarëve, se do ketë një kujdes të veτantë në trajtimin më të mirë të mundshëm dhe respektimin e standardeve për të drejtat dhe liritë njerëzore dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, se do të jetë partner i rëndësishëm i bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon", theksoi Presidenti Sejdiu.

Ai tha se përkundër prognozave të këqija të kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, se me bërjen e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur do të ndodhin gjëra të këqija, se do bëhet revansh i shumicës shqiptare kundër komuniteteve pakicë, se do të ketë eksod të madh të qytetarëve serbë nga Kosova, apo se Kosova do bëhet trampolinë e krimit të organizuar, në Kosovë nuk kanë ndodhur asnjëra nga këto parashikime, sepse ne kemi pasur një busull të qartë të ecjes sonë, një koherencë të plotë të bashkëpunimit me qytetarët e Kosovës në radhë të parë, por edhe me miqtë e Kosovës, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me shtetet kyçe të Bashkimit Evropian.

Duke folur për njohjet e pavarësisë së Kosovës, Presidenti tha se pak orë pasi e kemi shpallur, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Bashkimit Evropian, ndërsa në tërësi kemi 63 vende që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe njohjen që dje është bërë nga Zelanda e Re.

Presidenti Sejdiu foli edhe për strukturën e institucioneve shtetërore të ndërtuara pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës me τÆrast tha se Kosova deri më tash ka ndërtuar rrjetin diplomatik me 21 misione diplomatike në botë, ka ndërtuar korpusin legjislativ shumë të mirë për kohën dhe për rrethanat e saj, Kushtetutën moderne, e cila në vete përmban parimet e rëndësishme përgjithshme që kanë kushtetutat bashkëkohëse të botës dhe në të njëjtën kohë parimet e rëndësishme që përmban Propozimi i Presidentit Ahtisaari. Kemi ndërtuar institucionet më vitale të një shteti të ri, vijoi Presidenti Sejdiu, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin Nacional të Sigurisë, Forcat e Sigurisë së Kosovës, si dhe Agjencinë e Inteligjencës. Të gjithë këta mekanizma krahas punës së Parlamentit, Qeverisë dhe pushtetit lokal, janë mekanizma që e tregojnë natyrën e një shteti në gjenezën e vet.

Presidenti në ligjëratën e tij foli edhe për sfidat zhvillimit ekonomik dhe nevojën e rritjes së GDP së vendit, procesin e privatizimit, problemet me energjinë elektrike, e cila është një ndër sfidat më të mëdha për zhvillimin ekonomik, përkundër resurseve të mëdha që ka vendi.

Si rrafshe të investimeve që duhet të bëjë Kosova, Presidenti përmendi fuqizimin e institucioneve të shtetit, rritjen e efiçencës së tyre dhe në veçanti investimi në sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjitha organet dukë përfshirë policinë doganat, gjykatat dhe prokuroria ta kryejnë punën e tyre në bazë të ligjit.

Presidenti Sejdiu shpjegoi edhe raportet e institucioneve të vendit kanë me institucionet ndërkombëtare dhe çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Në këtë temë Presidenti Sejdiu përmendi gjashtëpikëshin, me përmbajtjen e të cilit kishte tendenca të hapjes edhe një herë të një cikli të ri të bisedimeve dhe një definim i çështjes së Kosovës si një temë e pakryer, tezë kjo e Serbisë dhe e mbështetësve të saj.

Presidenti gjatë ligjëratës së tij foli edhe për problemet në veri të vendit, të cilat do të zgjidhen gradualisht deri në shuarjen e plotë të strukturave paralele, si dhe për procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, ku bëri thirrje që të qytetarët masivisht të marrin pjesë në zgjedhje si test i rëndësishëm i dëshmisë së Kosovës se është në gjendje të organizojë vet zgjedhje të vërteta demokratike.

Presidenti edhe me këtë rast u bëri thirrje qytetarëve serbë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe përmendi komunat e reja të formuara mbi bazë të Planit të Ahtisaarit dhe ato komuna që pritet të krijohen. Sipas tij, pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në zgjedhje do ta dëshmonte qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat