Të bindur se vetëm pak ditë e ndajnë nga fitorja në Gjilan dhe nga qeverisja me këtë komunë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllë fushatën e saj në Gjilan.
Fatmir Rexhepi, kandidati i LDK së për kryetar komune, ka thënë se ky subjekt, por edhe qytetarët e Gjilanit e kanë të qartë se për katër vjetët e ardhshme Gjilanin do ta qeverisë LDK ja.
Ai ka akuzuar qeverisjen aktuale duke thënë se për dy vjetët e fundit Gjilan ka pas qeverisje me shkallën më të lartë të korrupsionit, por sipas tij më 15 nëntor qytetarët do të votojnë për t'i thënë jo këtyre politikave të dështuara.
Ai premtoi zhvillim të Gjilanit, realizim të 85 projekteve të rëndësishme në vlerë 110 milionë euro dhe hapjen e mbi tre mijë vendeve të reja të punës.
Nënkryetari i LDK së, Lutfi Haziri, duke kërkuar votat e gjilanasve për kandidatin e LDK së për kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi dhe kandidatët për këshilltarë të këtij subjekti, premtoi shndërrimin e Gjilanit në një qytet evropian.
Haziri tha se misioni i tyre i madh është Gjilani i evropianizuar nën udhëheqje e LDK së, për të shprehur bindjen e tij se LDK ja do të dalë fituese edhe në komuna tjera të Anamoravës.
Në këtë tubim është bërë prezantimi i 45 kandidatëve të LDK së për asamblenë komunale për të cilët po ashtu u kërkuar mbështetja me votë e gjilanasve.