Sulmohet me armë në Deçan Kryeministri i Kosovës

Lajme

Sulmohet me armë në Deçan Kryeministri i Kosovës

Më: 11 nëntor 2009 Në ora: 18:51

Dy ditë para përfundimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 15 nëntorit në Kosovë, ka ndodhur incidenti më serioz gjatë kohës së fushatës zgjedhore në Kosovë. Kështu burime tona bëjnë të ditur se kryeministri i Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, është sulmuar të mërkurën në Deçan. Porsa ai ka përfunduar fushatën në këtë komunë, e cila aktualisht udhëhiqet nga AAK, eskorta e liderit të PDK-së është gjuajtur me gurë nga persona të panjohur.

Rojet e kryeministrit janë treguar të gatshme për ta mbrojtur liderin e PDK-së , ndërkohë që burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se ka pasur edhe të shtëna armësh. Eskorta e kryeministrit Hashim Thaçi më pas është nisur në drejtim të Gjakovës ku kryeministri Thaçi vazhdoi fushatën elektorale në përkrahje të kandidatit të tij për kryetar të komunës së Gjakovës. Ndërkohë forca të mëdha të sigurisë e kanë përcjellë kryeministrin derisa kaloi Deçanin.

Incidenti në Deçan i ka qitur një hije të keqe fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 15 nëntorit. Deri në këtë moment nuk është shënuar ndonjë incident që vlen të veçohet ndërkaq ashpërsia e fjalorit të liderëve politikë dhe thyerja apo heqja e panove të kandidatëve rivalë në disa qendra të Kosovës, deri më tash janë konsideruar si pjesë të fushatës zgjedhore pa pasoja të mëdha në skenën politike.

Autoritetet më të larta vendore kanë dënuar incidentin që ndodhi të mërkurën në Deçan, ku pas një tubimi parazgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, thuhet se “është sulmuar eskorta e kryetarit të kësaj partie, kryeministrit Hashim Thaçi”.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Shtëpinë e Kulturës në Deçan, një grup qytetarësh kanë sulmuar me gurë eskortën e kryeministrit. Policia ka arritur të arrestojë tre persona si të dyshuar të mundshëm, të involvuar në këtë rast, ndaj të cilëve është ngritur procedura hetimore.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka dënuar këtë akt dhe ka theksuar se “për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë krejtësisht të papranueshme veprimet që bien ndesh me ligjin, që cenojnë jetën apo sigurinë e të tjerëve”.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar sulmin, duke thënë se “ata që veprojnë me dhunë kundër demokracisë së Kosovës dhe institucioneve të saj përfaqësuese e dëmtojnë shtetin”.

Nga ana tjetër, shtabi zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka pohuar se “zyrtarë të lartë të PDK-së dhe kandidatë të saj për Asamblenë Komunale të Deçanit, kanë përdorur dhunë të shfrenuar ndaj disa gjimnazistëve deçanas, në sallën ku mbahej tubimi, në momentin kur ata kanë brohoritur për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin e partisë, Ramush Haradinaj”.

Në reagimin e Partisë Demokratike ndërkaq, për ngjarjen thuhet të jetë “nxitur dhe organizuar drejtpërdrejtë nga Ramush Haradinaj, duke përdorur edhe njerëz të inkriminuar dhe të ikur nga drejtësia; në Deçan u provua të përdhoset dhe të frikësohet vota e lirë e qytetarëve”.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka reaguar gjithashtu nëpërmjet një komunikate për opinion, duke thënë se “i sheh me shqetësim raportimet lidhur me incidentet e dhunshme përkitazi me aktivitetet e fushatës në komunën e Deçanit”.

“Incidentet e tilla, nëse konfirmohen, do të shëmtonin një sezonë fushate e cila ka qenë në masë të madhe pa dhunë. Dhuna nuk ka vend në fushata, zgjedhje, apo procesin demokratik. Pohimet lidhur me dhunën, të bëra nga një parti, assesi nuk i arsyetojnë përgjegjet e dhunshme nga të tjerët”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat