Dell: PDK dhe AAK të distancohen nga aktet e dhunshme

Lajme

Dell: PDK dhe AAK të distancohen nga aktet e dhunshme

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 12:17

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, e ka dënuar edhe sot incidentin e së mërkurës në Deçan, ku pas një tubimi parazgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, thuhet të jetë “sulmuar eskorta e kryetarit të kësaj partie, kryeministrit Hashim Thaçi”.

Ambasadori amerikan, aktet e tilla i ka cilësuar si të dënueshme dhe ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të distancohen nga këto akte.

Zoti Dell i ka bërë këto komente të enjten, gjatë një takimi në Prishtinë, me koalicionin e organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Shtëpinë e Kulturës në Deçan, një grup qytetarësh ka sulmuar me gurë eskortën e kryeministrit. Policia ka arritur të arrestojë tre persona si të dyshuar të mundshëm, të involvuar në këtë rast, ndaj të cilëve është ngritur procedura hetimore.

Në reagimin e mëhershëm të ambasadës amerikane, është thënë se “ncidentet e tilla, nëse konfirmohen, do të shëmtonin një sezonë fushate, e cila ka qenë në masë të madhe pa dhunë”.

“Dhuna nuk ka vend në fushata, zgjedhje, apo procesin demokratik. Pohimet lidhur me dhunën, të bëra nga një parti, assesi nuk i arsyetojnë përgjegjet e dhunshme nga të tjerët”, thuhej në komunikatë. .

Incidentin e kanë dënuar edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe qeveria e Kosovës.

AAK në një komunikatë për shtyp ka pohuar se “zyrtarë të lartë të PDK-së dhe kandidatë të saj për Asamblenë Komunale të Deçanit kanë përdorur dhunë të shfrenuar ndaj disa gjimnazistëve deçanas, në sallën ku mbahej tubimi, në momentin kur ata kanë brohoritur për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin e partisë, Ramush Haradinaj”.

PDK ndërkaq, gjithashtu nëpërmjet një komunikate, ka vlerësuar për ngjarjen të jetë “nxitur dhe organizuar drejtpërdrejt nga Ramush Haradinaj, duke përdorur edhe njerëz të inkriminuar dhe të ikur nga drejtësia; në Deçan u provua të përdhoset dhe të frikësohet vota e lirë e qytetarëve”. (a.v./rel)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat