Krasniqi dënon incidentin e djeshëm në Deçan

Lajme

Krasniqi dënon incidentin e djeshëm në Deçan

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 13:14

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka lëshuar sot një deklaratë lidhur me incidentin e djeshëm në Deçan, në të cilën thuhet :

Incidenti i djeshëm në Deçan, duke sulmuar me gurë dhe të shtëna armësh mbi eskortën e Kryeministrit Thaçi, ishte një lajm dhe mesazh i keq nga Kosova.

Fushata parazgjedhore për kryetarët dhe asambletë e komunave të Kosovës gjatë gati një muaji u zhvillua normalisht dhe duhej të përfundonte ashtu, e qetë, në frymë demokratike e solemne, në një konkurrencë korrekte të koncepteve e programeve politike dhe në funksion të ndërtimit e fuqizimit të shtetit tonë të ri.

Sjellja e dhunshme në një proces ku dëshmohet pjekuria demokratike dhe qytetëruese e një shoqërie dhe e përfaqësuesve të saj politikë, për më tepër në çastet historike në të cilat ndodhet vendi ynë, nuk përbën vetëm mungesë kulture e tolerance, por akt krimi penal, me të cilin duhet marrë organet kompetente të ndjekjes.

Ftoj qytetarët dhe subjektet politike që të kontribuojnë për përfundimin me sukses të plotë të fushatës parazgjedhore dhe të vetë zgjedhjeve, duke dëshmuar kështu vlerat tona të mirëfillta qytetare por edhe funksionalitetin e demokracisë sonë të re.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat