Presidenti Sejdiu dënoi incidentin në Mitrovicë

Lajme

Presidenti Sejdiu dënoi incidentin në Mitrovicë

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 22:17

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka dënuar tentim atentatin ndaj Hysni Ahmetit, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Në vijim, po e japim në tërësi deklaratën e Presidentit Sejdiu:

“Me shqetësim të thellë mora lajmin për aktin e shëmtuar që ka ndodhur sonte në Mitrovicë, ku në mënyrë tinëzare është shtënë më armë zjarri kundër Hysni Ahmetit, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Ky akt, njësoj sikurse ai i mbrëmshmi në Deçan, është një përpjekje e ligë për ta njollosur procesin e mirë parazgjedhor që kanë zhvilluar partitë politikë, kandidatët e pavarur dhe të gjithë qytetarët anekënd Kosovës, të cilët kanë marrë pjesë në veprimtaritë përuruese që janë zhvilluar deri sonte. Duke e shprehur zemërimin tim ndaj këtij akti, si President i vendit, ju bëj thirrje subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga çfarëdo akti që cenon sigurinë e qytetarëve dhe rendin publik.

Poashtu, i ftoj të gjithë liderët politikë që të ndikojnë te anëtarësia dhe simpatizantët e partive të tyre, në mënyrë që t’u shmangen akteve të tilla, të cilat bien ndesh me ligjin dhe janë në kundërshtim të plotë me kulturën demokratike që duhet të tregojmë të gjithë së bashku në këtë moment të rëndësishëm për vendit tonë dhe të ardhmen e tij”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat