EULEX deklarohet për mbrojtje të konfidencialitetit të hetimeve

Lajme

EULEX deklarohet për mbrojtje të konfidencialitetit të hetimeve

Nga: Teuta Rexhepi Më: 3 dhjetor 2009 Në ora: 23:17

Prishtinë, 3 nëntor - Lidhur me rastin të cilin e ka hapur Prokuroria Speciale (PSRK) mbi pohimet e bëra nga z. Nazim Bllaca, EULEX-i do ta mbrojë konfidencialitetin e hetimeve që janë duke u zhvilluar, për t’ju mundësuar prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK-së) dhe policëve të punojnë pa asnjë pengesë.

“Parimi i konfidencialitetit është bazë për sundimin e ligjit që ka për qëllim sigurimin e efektshmërisë së hetimeve, si dhe të drejtat e të gjithë personave në fjalë, qofshin ata dëshmitarë ose të dyshuar”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.

EULEX-i nuk e ka më ndërmend të lejojë daljen e informacioneve nga hetuesia. “Në çdo hetim penal, dëshmitë duhet të mblidhen dhe të shqyrtohen nga hetuesit dhe prokurorët me një saktësi shumë të madhe. Vetëm pas përfundimit të këtyre hetimeve mund të konkludohet nëse personat do të sillen para gjykatës për një gjykim të drejtë dhe publik”, thuhet në komunikatën.

“Si mision për sundimin e ligjit, EULEX-i e respekton plotësisht parimin e konfidencialitetit në deklaratat e veta publike dhe pret që këtë shembull ta ndjekin të gjithë, ashtu që drejtësia të ndahet në mënyrë të barabartë për të gjithë”, thuhet në komunikatë.

Të enjten në Prokurorinë Speciale, është marrë në pyetje Nazim Bllaca, derisa lidhur me këtë nuk u prononcua askush nga EULEX-i. Ndërsa, sipas burimeve të gazetës “Bota Sot”, bëhet e ditur se avokati Haxhi Millaku, nuk është më përfaqësues ligjor i të akuzuarit Bllaca. Gjithashtu lidhur me këtë rast, policia e EULEX-it e ka marrë në pyetje të enjten edhe dëshmitarin e tentim atentateve, Adem Salihajn, i cili tha se do të dëshmoj përsëri, meqë nuk e ka përfunduar dëshminë.

Nazim Bllacës, të martën i është caktuar nga gjykata masa, 30 ditë arrest shtëpiak. Ai ditë më parë ka rrëfyer publikisht se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se është autor vrasjesh dhe pjesëmarrës në 16 vepra të tjera kriminale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat