LDK-ja e entuziazmuar me koalicionet

Lajme

LDK-ja e entuziazmuar me koalicionet

Nga: M. Shasivari Më: 4 dhjetor 2009 Në ora: 18:21

Prizren, 4 dhjetor - Kryetari i Komisionit për informim në degën e LDK-së në Prizren, z. Haziz Hodaj, ka njoftuar se ka vazhduar maratona e suksesshme e bërjes së koalicioneve me subjektet e tjera politike, e që në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e 15 nëntorit, tanimë ky subjekt ka siguruar mbështetjen e 21 anëtarëve në legjislacionin e ri komunal. Z. Hodaj, më tutje ka njoftuar, se LDK-ja, ka arritur marrëveshjen e koalicionit, pos me AAK-në, edhe me LDD- në, ORA-n, PSHDK-në, Ballin Kombëtar, përderisa përgjatë ditës së sotme, akti i marrëveshjes pritet të bëhet edhe me degën e AKR-së. Ai, po ashtu, ka njoftuar se marrëveshja me të gjitha këto subjekte politike, tanimë e ka marrë epitetin si “Lidhja për Prizrenin”, e cila do të zgjerohet edhe me partneritetin me qytetarë të tjerë apartiakë, dhe se qysh më 13 dhjetor, është e gatshme të fillojë mandatin e ri, tani nga pozicioni i shumicës, për një ritëm të ri të punës, qeverisje e shërbim meritor për qytetarët. Në anën tjetër, dega e PDK-së në Prizren, nuk ka publikuar ndonjë informacion më të ri rreth arritjes së ndonjë marrëveshje, por përmes njoftimeve të javës së shkuar, mësohet se ky subjekt politik, për ditën e balotazhit, shpreson në mbështetjen e qytetarëve, por edhe marrëveshjeve të arritura kohë më parë me subjektet politike minoritare, siç janë KTDP, Vakat, Demokracia e re dhe Partia e Drejtësisë. Me këtë rast, vlen ta rikujtojmë të dhënën se më 13 dhjetor për kryetar të komunës së Prizrenit, do të garojnë, z. Hanefi Muharremi nga LDK-ja dhe z. Ramadan Muja, nga PDK-ja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat