Policia e Kosovës nuk është e përfshirë më, në sigurimin e Nazim Bllacës dhe të familjes së tij në Ribar të Madhë të Lipjanit, kjo është vendosur në bazë të fletë arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, që i është caktuar të akuzuarit Bllaca nga gjyqtari Francesco Florit. Fillimisht Polica e Kosovës ka qenë asistuese në bashkëpunim me EULEX-in në sigurimin e Bllacës, i cili akuzohet për krim të organizuar, vrasje të rëndë dhe vrasje në tentativë, mirëpo më vonë në bazë të këtij fletë arresti të lëshuar nga gjykata, është vendosur që sigurimin e tij krejtësisht ta bëjë EULEX- i. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se, Policia e Kosovës bënë sigurinë në përgjithësi lidhur me këtë rast, në përjashtim për fletë arrest shtëpiak, që iu ka dhënë të akuzuarit Bllaca nga prokurori, ku në bazë të tij, është vendosur që sigurinë kompletë ta bënë policia e EULEX-it. Ndërsa, lidhur me atë se si është vendosur që Policia e Kosovës të mos vazhdoj më të jetë pjesë e sigurimit të Bllacës në vendbanimin e tij, zëdhënësi Kelani tha se, Policia e Kosovës në përgjithësi nuk është përjashtuar në ofrimin e sigurisë në këtë rast, ajo është përjashtuar vetëm në bazë të këtij fletë arresti shtëpiak, duke shtuar se ajo mundet të patrulloj andej, dhe të ofroj siguri shtesë varësisht prej nevojës. “Në bazë të fletë arrestit shtëpiak aty i potencohet që sigurimin e bëjnë vetë zyrtarët e EULEX-it, ndërsa Policia e Kosovës mundet të patrulloj andej, mundet të ofroj siguri shtesë varësisht prej nevojës. Në ofrim të sigurisë në përgjithësi nuk është e përjashtuar Policia e Kosovës”, tha zëdhënësi Kelani. Mirëpo ai tha se, konkret përgjegjësinë për sigurim të arrestit shtëpiak të Nazim Bllacës, që është në shtëpinë e tij në Ribar të Madhë të Lipjanit, e ka Policia e EULEX-it, duke shtuar se varësisht prej nevojës, kërkesës dhe situatës Policia e Kosovës reagon, asiston edhe në atë pjesë. Ndërsa, lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar për këtë rast, Policia e Kosovës deri më tani nuk është aspak e përfshirë. Ky rasti është duke u udhëhequr krejtësisht nga Prokuroria Speciale e EULEX-it, ndërsa Policia e Kosovës është e gatshme të bashkëpunoj me EULEX-in kurdo që ata kërkojnë.